Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka ripërsëritur se gjatë javës së ardhshme do të mirëpritet Konferenca e Parë Ndërqeveritare mes BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Lajmi u bë i ditur nga përfaqësuesi socialist në median sociale Facebook.
Balla priti në një takim në Kryesinë e Kuvendit, Anëtarin e Bundestag-ut gjerman dhe përfaqësuesin e socialdemokratëve, Metin Hakverdi.
Sipas tij, konteksti i ri gjeopolitik pas agresionit të pajustifikuar dhe të paprovokuar rus kundër Ukrainës imponojnë një marrëdhënie më të ngushtë të Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kjo e fundit, kërkon edhe një përshpejtim drastik të procesit të anëtarësimit.
Gjatë takimit Balla i ka shprehur mirënjohjen Hakverdi-t dhe partisë simotër gjermane për mbështetjen dhe vëmendjen ndaj Shqipërisë.
“Do të intensifikojmë bashkëpunimin mes dy grupeve tona parlamentare”, ravijëzoi në përmbyllje Balla.
Balla e konfirmoi fillimisht nga foltorja e Kuvendit mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së.
“Kërkova fjalën për të ndarë një lajm të rëndësishëm sa i përket rrugëtimit tonë drejt anëtarësimit në BE, që ka të bëjë me faktin se ka një dakordësi të plotë mes 27 vendeve anëtare për të mbajtur javën e ardhshme Konferencën e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së”, tha Balla.
Ai theksoi se dakordësia politike tashmë është arritur dhe mbajtja e Konferencës Ndërqeveritare javën e ardhshme është fakt.