Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” në bashkëpunom me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Flagranca”.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
- Edison Manaj, 26 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
- Enea Shima, 19 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve.
Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi Ergys Hidri, 22 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Shërbimet e policisë, në afërsi të TEG-ut, kanë ndaluar mjetin me drejtues shtetasin E. H., dhe me pasagjer shtetasit E. M dhe E. Sh.
Gjatë kontrollit fizik të shtetasit E. Sh., nga shërbimet e Policisë, iu gjet dhe sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me krehër dhe municion luftarak dhe një sasi lënde narkotike cannabis sativa, ndërsa drejtuesi i mjetit, shtetasi E. H., nuk ka kallëzuar krimin.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit E. M., nga shërbimet e Policisë, u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri pistoletë, një armë zjarri kallashnikov, krëhra me municion luftarak dhe një palë dylbi.