Dy të rinj në Tiranë kanë rënë në prangat e policisë ditën e sotme. Ata janë kapur në flagrancë teksa po shpërndanin kokainë.
Droga ishte e ndarë në doza dhe ishte bërë gati për shitje, dy të rinjtë po përdornin një automjet për shpërndarje.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Stacioni i fundit”, gjatë të cilit është goditur 1 rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike, në doza.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– E. B., 21 vjeç, dhe H. C., 24 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Në rrugën “Isuf Elezi”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2, kanë lokalizuar automjetin me drejtues shtetasin E. B. dhe pasagjer shtetasin H. C.
Shtetasit E. B., gjatë kontrollit fizik, iu gjet dhe iu sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje.
Sipas verifikimeve të kryera ka rezultuar se lënda narkotike i përkiste shtetasit H. C. dhe se shtetasi E. B. do kryente transportin e saj.” ka njoftuar policia.