Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Greqi, për të marrë pjesë në Tryezën e Rrumbullakët me qeveritarët grekë.
Në këtë tryezë do të diskutohen për arritjet dhe transformimet e reja në ekonomi.
Më tej në njoftim thuhet se kryeministri Kurti sot merr pjesë në panelin me temë “Evropa juglindore: A mund të ketë stabilitet dhe prosperitet në rajon?”
Krahas kryeministrit Kurti, të ftuar në panel janë edhe Dritan Abazoviq, kryeministër i Malit të Zi, Zoran Zaev, ish-kryeministër i Maqedonisë së Veriut, Sir Stuart Peach, i dërguari special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor dhe George Katrougkalos, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Greqisë. Paneli do të drejtohet nga Joan Hoey, drejtor për Evropë, The Economist Intelligence Unit, redaktor, The Democracy Index.









