Hapja e negociatave është më pranë se kurrë pas shumë muajsh debate të forta dhe akuza në distancë. Kryeministri i Maqedonisë, Dimitar Kovaçevski deklaroi sot në konferencën e përbashkët me kryetarin e Këshillit Europian Charles Michel se ky propozim është baza e çështjes jashtëzakonisht të rëndësishme të progresit dhe sigurimit të asaj që kemi pritur për 17 vjet.
“Ky propozim është baza e çështjes jashtëzakonisht të rëndësishme të progresit dhe sigurimit të asaj që kemi pritur për 17 vjet, pas marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Propozimi është në përputhje të plotë me Rezolutën e Kuvendit për qëndrimet shtetërore në kontestin me Bullgarinë, gjë që tregon se qeveria, unë si kryeministër dhe institucionet kompetente përfaqësojmë me përgjegjësi interesat e shtetit jashtë dhe brenda”, tha kryeministri.
Kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel u shpreh se konferenca e parë ndërqeveritare mund të organizohet në ditët në vijim nëse propozimi pranohet nga RMV-ja.
“Personalisht kam besim se kjo është një zgjidhje e balancuar që adreson shqetësimet tuaja dhe qëllimi është i qartë, të fillojmë negociatat e anëtarësimit dhe të ecim përfundimisht drejt ndërtimit të së ardhmes sonë të përbashkët në BE.
Nëse thoni po, konferenca e parë ndërqeveritare do të organizohet në ditët në vijim”, tha Michel.