Portieri i përfaqësueses së Rusisë në hokejin në akull, Ivan Fedotov, u mor me forcë nga polica ditën e premte dhe tani duket se do të jetë i detyruar të kryejë shërbimin ushtarak në ishullin Novaya Zemlya që gjendet në Arktik.
Lajmi është konfirmuar nga mediat shtetërore ruse, të cilat shpjegojnë se veprimi ndaj Fedotov u bë pasi kishte tentuar t’i shmangej shërbimit të detyrueshëm ushtarak gjatë luftës në Ukrainë dhe tani do ta kryente këtë në veriun e Rusisë. Ai në fakt pritej që të largohej nga klubi i CSKA të Moskës për të filluar karrierën te Filadelfia Flajers pasi kishte nënshkruar me klubin amerikan një kontratë njëvjeçare. Por duke qenë pjesë e një klubi të ushtrisë, ai duhej t’i përgjigjej thirrjes për t’u vënë nën armë gjatë luftës.
Pas stërvitjes së të premtes me klubin e tij në Shën Petersburg, persona të paidentifikuar e detyruan atë të futej në një kamionçinë. Ai raportohet se është dërguar në një qendër rekrutimi ushtarak ku kishte kaluar probleme shëndetësore e më pas ishte dërguar në spital për t’u trajtuar.
Të dielën, ai ishte transportuar në bazën detare të Severomorsk, në veri të Murmansk, që gjendet në gadishullin Kola në Rrethin Arktik. “Ai me shumë mundësi do të kryejë shërbimin ushtarak në një nga njësitë në ishullin e Novaya Zemlya në Oqeanin Arktik”, u shpreh një burim në mediat ruse. Ishulli në fjalë ka qenë për shumë vite një zonë testimesh bërthamore.