Thirrjes së Berishë për protestën e nesërme i janë bashkuar dhe figura të tjera opozitare si kreu i PDK-së, Nard Ndoka dhe sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Endri Braimllari.
“Kjo situatë e rëndë në të cilën ndeshet vendi kërkon bashkimin e të gjitha energjive politike dhe jo politike kundër një regjimi të tillë i cili nuk mendon për qytetarët.
Ka shumë arsye pse duhet të protestojmë më datë 7 korrik. E parë nga çmimet e larta të cilat po vrasin çdo ditë familjet e shqiptarëve. Korrupsioni dhe abuzimi i tmerrshëm me aferën më të madhe korruptive të bërë ndonjë herë në një vend, atë të inceneratorëve të cilën e ka vazhduar ta denoncojë dhe këto ditë kryetarja e LSI.
Rritja e çmimit të karburantit me porosi të oligarkëve të Rames dhe në kurriz të qytetarëve,” tha Braimllari.
Nga ana tjetër kreu i PDK-së, Nard Ndoka është shprehur se qytetarët janë besim plotë për protestën e Berishës dhe e dinë që kauza nuk do të shitet si me Bashën.
“Besimi është rritur. Në këto momente besimi është maksimale. Qytetarët nuk kanë besim që kauza do të shitet. Këta e kam vuajtur unë me Lulzim Bashën. Fatkeqësi Lulzim Basha, për opozitën ishte një dramë. Sot kjo më nuk ekziston. Besimi është rritur dhe qytetarët do të jenë në shtet. Kjo është kryesorja.
Djegësit, jo inceneratorët e kanë djegur qeverinë, por nuk kishte nje shpresë për qytetarët kush do ta drejtonte vendin. Sot e kanë një model. Sipas gjykimit tim, një qeverisje me prove jo se po presim me një lëvizje të re, sot ne kemi një personazh që ka dhënë prova që di të qeverisë shumë mirë. Unë i bëj thirrje cdo qytetari, qoftë i majtë apo i djathtë. Ka edhe shumë të majtë që nuk pajtohen me këtë qeverisje me këtë arrogancë”, është shprehur Nard Ndoka.