Nga podiumi i protestës përpara qytetarëve të mbledhur përpara Kryeministrisë, Sali Berisha i numëroi Edi Ramës skandalet nga inceneratorët, te rrugët dhe pasuria personale. Ai tha se për të gjitha skandalet që i numëroi, kjo qeveri duhet të rrëzohet.
“Edi Rama betohem mbi këtë flamur. Edi Rama jemi sot këtu për t’u betuar për këtë flamur. Për tu betuar para flamurit të kombit se votën kurrë nuk ta falim. Pushtetin e vjedhur kurrë nuk ta njohim.
Harroje, mos luaj me votën sepse jemi të vendosur të mos pranojmë kurrë, jemi të vendosur të bëjmë çdo sakrificë që burrat dhe gratë djemtë e vajzat e Shqipërisë të votojnë me dinjitet dhe të lirë.
Edi Rama ti je treguar armik i fjalës së lirë. Ke përdorur metodat e frikës dhe terrorit për t’u mbyllur gojën shqiptarëve për të blerë mediat e mëdha të vendit, iu vërsule me gjuhë ordineri gazetarëve vetëm se bëjnë detyrën e tyre.
Nuk do të doja kurrë që nga kjo platformë të flisja për hajdutë, por më thuaj, cfarë të të them unë ty, kur sarajet e Surrelit i ke ndërtuar kur ke pasur 3-4 mijë euro të deklaruara, nga të ranë ato para, nga qielli?
Njëherë thua i kam para emigracioni, herën tjetër thua nga “Kurbani”, Edi Rama kjo është hajni, vetëm një muaj më parë ndërtuesi fitoi 11 mln euro pa garë me 99%.
Me djegësat keni përfituar 120 mln euro. Këto ditë doli që nga 60 mln euro të dhëna për djegësin e Tiranës nuk është ndërtuar asgjë, paratë kanë përfunduar në konto pensionistësh që nuk dinin asgjë. Skandali i djegësave është më i madhi, por po kaq të mëdha janë paratë e vjedhura nga ndërtimi i rrugëve” tha Berisha.









