Bordi i Transparencës ka vendosur të ndryshojë sërish çmimin e karburanteve për herë të katërt brenda katër ditëve.
Nafta dhe banzina kanë pësuar rritje dhe që prej orës 18:00 të ditës së sotme do të shitet me 240 lekë për litër (ishte 235 lekë), benzina 233 lekë për litër (ishte 227 lekë), ndërsa gazi me 81 lekë për litër, nuk ka lëvizur.
Ngritja e çmimit të naftës vjen një ditë pas protestës. Në tre ditë resht para protestës, çmimet u ulën dhe të nesërmen e tubimit u rritën.
VENDIMI
Bordi i Transparencës në datë 8 Korrik 2022, në mbledhjen e radhës vendosi:
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 240 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 228 lekë/litër.
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 233 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 221 lekë/litër.
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 81 lekë/litër edhe i shitjes me shumicë 69 lekë /litër.
🗓Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 8 Korrik ora 18.00 p.m dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
⚠️Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi.
🚫Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
🛢Jemi në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë.