Protesta mbaroi, tani pyetja që shtrohet është cila është fatura? Në shesh ishin një numër i konsiderueshëm qytetarësh, referuar edhe faktit se zhvillohej në mes të sezonit turistik dhe në temperatura të pazakonta.
Me pankarta, flamuj dhe bluza të stampuara, pa llogaritur podiumin dhe atmosferën e krijuar nga Big Basta dhe Renis Gjoka me këngën “himn të protestës”, shuma e shpenzuar nuk është e vogël.
Nuk janë të paktë qytetarët që në përfundim të tubimit e ngritën pikëpyetjen për shpenzimet, aq më tepër që protesta u bë në kohë krize me refren kryesor rritjen e çmimeve.
Deputeti socialist Petro Koçi akuzoi se për tubimin kanë financuar oligarkët. “Shpenzimet e protestës vërtetuan gjithashtu se oligarkët bëjnë lojë me shumë porta” tha ai.
Por çfarë mendon Partia Demokratike? “5pyetjet.al” kontaktoi dy zyrtarë të selisë blu, njëri prej tyre me detyrë specifike organizimin dhe e pyeti për faturën, por nuk mori përgjigje.
Ai nuk pranoi që të citohej dhe në mungesë të përgjigjes u justifikua duke kaluar në sulm kundër deputetit socialist, Koçi.
Megjithatë pyetja mbetet pa përgjigje, sa kushtoi protesta e parë e Sali Berishës në rikthimin e tretë dhe kush i pagoi lekët?