Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ishte sot në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë për të uruar kreun Bujar Spahiu dhe të gjithë besimtarët për festën e Kurban Bajramit.
Drejtuesja e LSI-së u pyet nga gazetarët nëse kishte një koment për faktin që edhe këtë Bajram xhamia e Namazgjasë nuk u hap dhe besimtarët u falën në sheshin “Skënderbej”.
“Kam shumë komente, por nuk mendoj se sot është për të folur për këtë. Besimi shqiptar është i shqiptarëve, nuk është as i tullave as i gurëve, dhe asnjë nuk e ndërton besimin në një godinë, besimi është në shpirt dhe nuk e merr dot dhe nuk e blen dot askush” tha Monika Kryemadhi.
Presidenti turk Erdogan s’e mbajti fjalën për hapjen e xhamisë. Në 17 janar kur ishte në Shqipëri ai tha “Pamë nga afër edhe punimet në xhaminë madhështore në Tiranë që po ndërtojmë ne. Puna vijon ende.
Me Ndihmën e Zotit, punimet do të përfundojnë shpejt dhe deri në fund të muajit të Ramazanit do ta hapim për besimtarët. Do të jem sërish në Tiranë për ceremoninë e hapjes”, tha ai, por një gjë e tillë nuk ndodhi as për Fiter Bajramin dhe as Kurban Bajramin.