-sidi education-spot_img
11.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

“Gropë thithëse” e buxhetit, çfarë po ndodh me tunelin e Murrizit?

Kryesoret

Rruga e Arbrit u kthye të enjten në Kuvend në kryefjalë të debatit dhe përplasjes me replika mes deputetit të PD-së, Xhelal Mziu dhe ministres Belinda Balluku. Problemet me tunelin e ri shtynë përfundimin e projektit në fund të gushtit, edhe pse sipas kontratës rruga duhet të përfundonte në muajin prill. Deputeti demokrat lëshoi akuza të forta për gjendjen e rrugës dhe lidhjes mes firmës “Gjoka” me ministren e Infrastrukturës.

Por ku janë punimet në këtë aks, që është kthyer në “gropë thithëse” të fondeve nga buxheti i shtetit dhe ende nuk ka përfunduar? “5pyetjet.al” iu drejtua ministrisë së Infrastrukturës për informacion në lidhje me punimet në tunelin e Murrizit? “Aktualisht po vijohet me punimet ndërtimore, të cilat kanë ecuri realizimi 87%, ku pavarësisht vështirësive, po punohet intensivisht në të dy tubat nga të 4 (katërt) portalet” thotë ministria.

Por a është e justifikuar vonesa për përfundimin e tunelit të Murrizit? Këtu ministria e heq përgjegjësinë nga vetja. “Sipas projektit bazë të miratuar, koha e ndërtimit ka qenë 44 muaj, por për shkak të problematikave gjeologjike, gjeoteknike të nëntokës dhe pranisë së ujrave nëntokesor, koha e ndërtimit është zgjatur dhe për këtë arsyeje vonesat janë të justifikuara. Territori i projektit  rezultoi i paqëndrueshëm dhe ky fenomen i shkëputjes tektonike në thellesi nuk mund të parashikohej nëpër studime gjeologjike/gjeoteknike për shkak të paparashikueshmerisë”.

Por a u mor në konsideratë qëndrimi i Institutit të Ndërtimit që kërkoi shpime shtesë me sondë, pasi vetëm në këtë mënyrë do të evitoheshin problematikat që ndodhën? “Dokumenti i studimit gjeologjik dhe investigimet gjeologjike, pjesë të Projektit të Zbatimit janë hartuar në respekt të standarteve të projektimit. Pas sugjerimit të Oponencës teknike, janë bërë shtesë shpimesh dhe shtesë studimesh gjeologjike para fillimit të punimeve ndërtimore në Tunel dhe në Ura. Në çdo fazë të ndertimit, investigimet gjeologjike janë vleresuar nga institucionet që kanë kapacitete dhe ekspertizë në fushën e shkencës e gjeologjisë” thotë ministria.

Ministria justifikon edhe vlerën 38.1 milionë euro për km, që e kthen tunelin e Murrizit më të shtrenjtin në Shqipëri. “Nisur nga formacioni gjeologjik, zgjidhja inxhinierike e dhënë në Tunelin e Murrizit është vlerësuar si zgjidhja më e mirë tekniko-ekonomike”. E pyetur se kush do ta paguajë koston shtesë 20 milionë euro për tunelin e Murrizit, shteti apo kompania, ministria thekson se “Vlera e miratuar në Kontratën Koncesionare/PPP është 33,600,000,000 leke pa tvsh, dhe nuk ka ndryshuar edhe pse Projekt- Zbatimi është rishikuar”.

Për standardet e rrugës, që kishte akuza edhe deputeti Xhelal Mziu, dikasteri i drejtuar nga Belinda Balluku thotë se “Ne respekt të standardit të projektimit dhe gjeometrisë së trupit të rrugës, në planimetrinë e Projekt – Zbatimit janë parashikuar shesh pushime/ SOS/ belvedere, si dhe zona shërbimi në respekt të Kodit Rrugor dhe Sigurisë Rrugore”. Ndërtimi i rrugës 54 kilometra që lidh Tiranën me Dibrën nëpërmjet një kontrate koncesionare filloi në vitin 2018 dhe kap një vlerë prej 40 miliardë lekësh, por vepra kryesore, tuneli i Murrizit, që e bën funksionale këtë rrugë nuk ka përfunduar.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit