Me mijëra qytetarë amerikanë janë mbledhur përpara Shtëpisë së Bardhë në Washington, në një marshim kundër ligjit të abortit, të njohur ndryshe edhe si Roe v Wade.
Kjo demonstratë, vjen dy javë pasi Gjykata Supreme në SHBA rrëzoi një ligj të vendosur, i cili e garantonte të drejtën e abortit në 50 shtete, duke i lënë kështu këtyre të fundit rrugë të hapur për të vendosur vetë mbi legjislaturën e çështjes.
Nën britmat “nuk do të kthehemi pas”, protestuesit e rrethuan Shtëpinë e Bardhë, ku disa u lidhën edhe pas kangjellave, në shenjë revolte.
Në përllogaritje, kanë qenë rreth 10 mijë persona pjesë e marshimit. Figura të spikatura të shoqërisë civile, nuk munguan.
Mes tyre, edhe një avokate nga Dallasi, Lauren Pierce. 33-vjeçarja pati udhëtuar rreth 2 mijë e 100 kilometra, vetëm e vetëm për të qenë pjesë e demonstratës.
“Nuk ka asgjë më të vlefshme për të luftuar sipas meje se sa kjo kauzë”, deklaroi ajo për mediat amerikane, duke kërkuar garantimin e të drejtave themelore të njeriut dhe rikthimin e ligjit.
Nga shteti prej të cilit ajo vjen, Texasi, aborti është ndaluar tashmë. Texasi bën pjesë në 10 shtetet, të cilat e kanë bërë këtë gjë. Rreth 12 të tjerë pritet të marrin vendime të ngjashme, ku praktikisht aborti bëhet i pamundur për gratë që e dëshirojnë një të tillë.
Fushata paralele gjithsesi po zhvillohen edhe në SHBA, ku protestuesit anti-abortit, e shohin këtë të fundit si një vrasje të mirëfilltë. Ky është edhe argumenti, i cili ata më së shumti e përdorin në argumentimin e tyre.
Mirëpo, një pjesë shumë e madhe e grave amerikane, e kanë gjetur veten ngushtë dhe në situata të pakëndshme, duke qenë se ato nuk e kanë tashmë një autonomi tërësore të trupit të tyre dhe një autonomi në vendimmarrje.
Protestat pritet të përshkallëzohen edhe më tej në rast të mosndryshimit të qëndrimeve.