Nëntë persona janë arrestuar nga policia në Tiranë për disa vepra penale; dhunë në familje, thyerja e masës së sigurisë, por edhe drogë. Një 50-vjeçar pasi ka rrahur djalin i ka vënë zjarrin banesës së tyre.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasit:
- S. Xh., 21 vjeç dhe I. V., 33 vjeç, të dy banues në Tiranë, pasi gjatë kontrolleve fizike nga shërbimet e Policisë, iu gjetën dhe iu sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sasi lënde të dyshuara narkotike, të llojit cannabis sativa.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme arrestuan në flagrancë shtetasin R. V., 27 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, duke dalë jashtë banesës.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5 arrestuan në flagrancë shtetasin I. K., 50 vjeç, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”. Shtetasi I. K. ka ushtruar dhunë ndaj djalit të tij dhe më pas i ka vënë zjarrin banesës së tyre.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit:
- E. B., 49 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin, në gjendje të dehur;
- M. K., 20 vjeç dhe G. A., 19 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar motomjetet përkatëse, pa leje drejtimi;
- M. L., 30 vjeçe, pasi u kap duke drejtuar mjetin, pa leje drejtimi;
- J. S., 35 vjeç, pasi duke drejtuar motomjetin, në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe si pasojë është dëmtuar vetë shtetasi J. S. dhe pasagjeri, shtetasi M. Ç., 35 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën” njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.