Anëtari i Kryesisë së PD-së, Eno Bozdo në një deklaratë për mediat ka denoncuar dhënien e tenderi të ARRSH-së për rrugën, Fier-Vlorë.
Një skemë e paprecedentë është regjistruar gjatë garës së kompanive, ARRSH ka përzgjedhur fituese një kompani e cila u rendit e 4 për sa i përket buxheti të paracaktuar.
Më saktësisht Ervis Berberi, drejtori i ARRSH ka shpallur fituese të tenderit kompaninë që u rendit e katërta në garë, duke dhënë një çmim plot 2 milionë euro më shumë se oferta më e mirë. Sipas dokumenteve zyrtare, tenderi ka pasur një fond limit prej rreth 7 milionë euro, ndërsa në garë kanë marrë pjesë 6 operatorë. Oferta më e mirë 4,47 milionë euro, është dhënë nga bashkimi i operatorëve “SHKELQIMI 07” dhe “FLED”, por ARRSH-ja ka përzgjedhur ofertën që është renditur e katërta dhënë nga kompania “Cobial” me një vlerë prej 6,56 milionë euro.
“ARRSH nuk kursehet për riparim e vjetër të rrugës Fier-Vlorë, i shpenzon paratë sikur ti kishte trashëgimi nga babai. Ervis Berberi ka futur në xhepat e zyrtarëve plot 2 milion euro, të përfituara nga taksapaguesit shqiptarë.
Autoriteti i Rrugëve mund të hynte në librin “Guinness” me vendimet anti-ligjore, të papërgjegjshme dhe të kushtueshme.
Partia Demokratike denoncon një akt të tillë, i cili nuk është i paprecedent për këtë qeveri, por nuk ka precedent në vende normale, ku qeverisja është transparente dhe llogaridhënëse.
Tre pyetje që do bënte çdo qytetar, dhe ne i përsërisim në emër të tyre, janë:
• Pse kalohet te e katërta në listën e ofertave dhe shmangen tri të parat?
• Pse zgjidhet një ofertë që kushton 2 milion euro më shumë se konkurueset?
• Pse nuk ka transparencë të vendimmarrjes?
Partia Demokratike kërkon vëmendje qytetare dhe të organeve të drejtësisë, për shpenzime të tilla abuzive, dhe rrjedhimisht, korruptive,” është shprehur Eno Bozdo.