-sidi education-spot_img
23.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: 7 korriku që nuk përsëritet më

Kryesoret

Kushdo e di se protesta e 7 korrikut është beteja e fundit e Berishës për të qenë rishtas subjekt dhe jo objekt në politikë, është momenti kur gjërat mund të ndahen dhe jo vetëm në përfytyrimin e tij. Berisha, non grata, i përbuzur dhe dhe i lënë jashtë “ ringut” të politikës është një njeri pa frymë, më shumë se i zakonshëm, që pret të lajë hesapet që vetë ka hapur; e kundërta, Berisha  në politikë është frymëmarrja e tij, motivi për të pasur një shans të ri dhe një pranim që tashmë e ka tejet të vështirë.

I lënë në qoshen e ringut të politikës, ku e vendosi Departamenti Amerikan i shtetit, për më tepër i linçuar familjarisht prej saj, ai ka rrugën e vetme, të cilën e ka projektuar si të vetmen mundësi, jo thjeshtë për të qenë në majën e pushtetit, por, mbi të gjitha, për të dhënë sinjalin se në këtë vend , prej tij dhe vetëm prej tij mund të pritet rrëzimi i një force politike dhe riardhja e një force tjetër, te e cila mund të ketë shpresë.

Në ditën e shtatë të muajit të shtatë, në orën shtatë pasdite, Berisha filloi betejën e tij. Gjithë të tjerat, foltoret, mallkimi i Bashës, gjetja e një grupi të rrezikshëm puçist pranë Ramës, kuvendet në stadiume, proceset zgjedhore , fjalimet e ashpra, joshja përmes lejimit të fraksioneve, thirrjet drejtuar shoqërisë civile, si një përsëritje në kushte të reja të KOP-it – ku dolën shumica e renegatëve të tanishëm, të gjitha ishin provat që duheshin bërë për të shkuar drejt 7 korrikut. Edhe 7 korriku në vete ishte një provë e përgjithshme. Pas kësaj date, që nuk mund të përsëritet më, beteja është hapur, ai e gjen veten në fushë betejë, si asnjëherë më parë, pasi e di se pas kësaj nuk do të ketë asnjë betejë tjetër. Kjo është lufta finale e tij, pas saj, ose do të fillojë ngjitjen, ose do të sillet në një humnerë të dyfishtë: nga jashtë dhe nga të vetët. Nëse arrin të ngjitë majën – mund të ketë shpresën e një dore të shtrirë, nëse rrokulliset, të gjitha vitet e jetës së tij politike do të zerohen, si vetë ai.

Çfarë fitoi Berisha nga 7 korriku,çfarë humbi, çfarëfitoi Edi Rama dhe çfarë humbi ai?

Së pari, Berisha , si njeri i vjetër i politikës së pas skenës së saj, në 7 korrik dëshmoi se , çfarëdo vendimi të marrë Gjykata e Apelit rreth shefit të opozitës, ai , në fakt, është drejtuesi i saj. Grupi kundërshtar, grumbulluar rreth Alibeajt, sjellurrreth Bashës, nuk është asgjë tjetër veçse varianti i ri i partisë së dikurshme të Cekës, më pas i Pollos, i Selamit , Kalakulës, pra, i të gjitha ndarjeve që ka pasur opozita e sotme në vite. Ata duhet të kuptojnë se lodhja nga qëndrimi në opozitë i ka mbledhur njerëzit rreth njeriut që u premton fitoren, megjithëse e ka rrokur vetëm një herë, në 22 mars 1992, dhe që ia dhuroi Meta në vitin 2005.  Pas 7 korrikut Berisha është njeriu që për disa kohë nuk do të shkulet nga godina e dhuruar prej tij opozitës dhe Shqup-i do të kthehet përsëri një një seli lufte. Të tjerët, ose dalëngadalë do të rreshtohen pas tij, ose do të formojnë në çastin e fundit një parti të re politike, e cila, si ka ndodhur zakonisht me të gjitha ato që kanë dalë nga mitra e partive nënë, do të ketë jetë të shkurtër dhe zbrastësi.

Së dyti, Berisha me 7 korrik shpalli se kjo që po ndodh mes opozitës dhe qeverisë nuk është më përleshje demokratike, por luftë. Përballë tij ai nuk do të ketë më kundërshtarë, por armiq. Jo rastësisht ai e përcaktoi fjalën “ armiq”, dhe këtë do e bënte edhe sikur përballë tij të mos ishte Edi Rama. Në fakt , ky është përcaktimi që ai ka pasur gjithnjë për ata që kanë qenë përballë tij, nuk ka ditur dhe nuk ka mundur të perceptojë ndryshe ndeshjen veçse si luftë. Armik ka shpallur në vite Fatos Nanon, Ilir Metën, tani Edi Ramën, dhe, do e kishte bërë këtë, edhe nëse në vend të Edi Ramës do të kishte qenë një lider tjetër. Berisha ka hyrë në politikë si në luftë, vetëm ky është përceptimi i tij dhe këtë do të bëjë edhe tani. Ndryshe nga Basha , që e sillte diskursin, deri te fjalëza luftë, pa e shpallur luftën, Berisha nuk njeh asgjë tjetër. Dhe, të futesh në luftë në demokraci do të thotë në mendimin e tij politik, të përsëriten ngjarjet e vitit 1991, bllokimet dhe përleshjet, dhuna ndaj njerëzve që mendonin ndryshe, të përsëritet maji i vitit 1996, marsi i vitit 1997, shtatori i vitit 1998, Gërdeci si biznes familjar dhe 21 janari, ku fajtori i vetëm nuk është Lulzim Basha, që i gjeti vrasjet tek kabineti kryeministror dhe pastaj heshti, sapo mori sinjalin e heshtjes së domosdoshme; do të thotë të perceptosh politikën si dhunë dhe vetë dhunën si kryengritje të domosdoshme. Ai e dha mesazhin e tij. Për më tepër, disa kohë më parë ai vetë kishte deklaruar se qeverisja e Edi Ramës dhe vetë Edi Rama nuk mund të rrëzohen me votë. Tani lufta u shpall. Do të ketë edhe ajo viktimat e saj?

Së treti, protesta e shpallur vetëm tri ditë pas Festës Kombëtare të SHBA, zhvilluar pak metra larg rrugës së Elbasanit ishte mesazhi  i përcjellë pa shumë ceremoni drejt Departamentit Amerikan të Shtetit. “ Unë jam këtu dhe llogaritë duhet të bëhen me mua” – ishte sinjali i dërguar pa shumë diplomaci, ose flamurët tuaj do të kthehen përmbys. Në 32 vite pluralizëm mund të jenë vetëm dy a tri vitet e para që mes Berishës dhe të deleguarve të shtetit amerikan të ketë pasur paqe. Vitet e tjera kanë qenë përleshje, relacione, lobime kundër tyre, gëzime dashakeqëse kur u kanë ndodhur fatkeqësi, mallkime, cilësime tipike të natyrës së tij. Me zonjën Kim ka ndodhur pika e vlimit të këtyre marrëdhënieve. Asnjë ambasador tjetër amerikan nuk ka pasur mbi vete kaq shumë mllef, dhe, si asnjëherë tjetër, tani kemi një klasë politike, që vet quhet e djathtë, e cila ka në programin e saj të pa shpallur antiamerikanizmin. Kuotat e lidhjeve mes këtij shteti të fuqishëm dhe vogëlsisë së shtetit tonë, në kampin  e së djathtës kanë rënë dramatikisht dhe kjo është e gjitha “ meritë” e foltoreve të Berishës.

Së katërti, ai pas kësaj dite do të ketë dorën e tij të hekurt dhe “ askush nuk mund ta heqë atë nga selia e partisë së tij”.

Kundërshtarët e brendshëm ai nuk do i ketë më fraksionistë, çka premtoi se do të lejonte të ndodë, por vegla të Edi Ramës, dhe si të tillë, pra njerëz të armikut të tij, ose do të heshtnin dhe të bashkoheshin me të pa asnjë ekuivok, ose do të linçoheshin politikisht. Kjo edhe ka filuar të ndodhë. Shembujt e linçimit politik të zonjës Tabaku dhe të Alibeajt, megjithëse e para duket si “ pëllumb” i politikës dhe i dyti si “skifter” i saj tregojnë se gjithçka që filloi ishte e menduar krejt mirë dhe se nuk ka rrugë tjetër.

Së pesti, Berisha mendoi se protesta e 7 korrikut ishte mesazhi i tij edhe për evropianët e pavendosur: do të mbështetin forcën e tij apo vendimin e sekretarit të shtetit amerikan. Të gjitha kartat i vendosi në një dorë dhe ajo që pret të ndodhë duhet të jetë në favorin e tij. Heshtja e evropianëve është torturuese për të, ai e kërkon me çdo kusht që kjo të ndodhë, të ketë një vijë ndarje mes tyre dhe politikës amerikane, si shenja e parë që në fund të fundit të ketë fitoren e tij . Loja me avokatin francez tani është e panevojshme, ashtu si janë të panevojshme për të gjithë çka premto kur ishte në fillimet e foltores së tij.

Tri herë Berisha ka premtuar se nuk do të jetë primari i politikës në kampin e së djathtës: kur luftonte të bëhej  president, përmes deklarimit të tij në “ Zeri i Amerikës”, se nuk do të jetë kryetari i përhershëm i opozitës, pasi Shqipëria kishte vuajtur nga partia – shtet ; në vitin 2013 kur kalin e betejës ia lëshoi të përkëdhelurit të tij , Basha, që desh e nxori jashtë lojës;  dhe, së treti, në fillimin e Foltores si proçes politik. Joshja nga pushteti për të është si sirenat e Uliksit, vetëm se ai nuk i mbyll kurrë veshët dhe as nuk lidhet me litarë.

Së pesti, Berisha deshi të tregonte se ai mund të mbledhë idhtarët e tij edhe në një ditë vape, pasi njerëzit besojnë tek ai. Kjo është loja e numrave e njohur në politikën tonë. Në fakt Berishën e kanë ndjekur gjithnjë pas mitingashët në shumicë dhe mendjet e qeta në pakicë. Oratorët i takonin të parëve, medja e tyre punonte pak, për të mos thënë aspak, dhe asgjë nuk kishin mësuar në gjithë këto vite jetë plurale. Ata dukeshin më shumë mallkues, se sa njerëz që mund t’u besosh një kauzë. Në fakt, asnjëri prej tyre nuk kishte kauzë. E vetmja që u shpall ndodhi nga Berisha: ai e ktheu konceptin e demokracisë në luftë dhe këtë do të përpiqet të bëjë.

Së gjashti: shoqëria civile, e gjërë, e pa vendosur, e trembur, shpeshherë e blerë, e tendosur politikisht dhe e vendosur në llogore politike, nuk mund të ketë as KOP-i i panjohur në vitin 2005 dhe as shpresa që mund të mendohet se do të sjellë diçka ndryshe.

Nëse ata që ishin aty janë përfaqësues të denjë të shoqërisë civile, atëherë në Shqipëri shoqëri civile nuk ka. Ajo është shuar. Një pjesë është shuar nga koha e Berishës, tjetrën pjesë e ka shuar koha e tanishme.

Për këto hyri në lojë Berisha dhe këto janë në përceptimin e tij ajo çka fitoi.

Çfarë humbi ai, dhe cilën humbje e ka më të ndjeshme se asgjë tjetër?

Përse heshti Edi Rama dhe diplomacitë e vendosura në Shqipëri?

Çfarë e dëshpëron më shumë se asgjë tjetër liderin e ri – të vjetër , shumë të vjetër, të opozitës?

Çfarë fitoi Edi Rama?

Njeriu që përkdhel veten më së shumti me protestën e 7 korrikut është vetë Berisha. Si një vepër të tij dhe të askujt tjetër. Gjithçka q ka ndodhur është ëndrra e keqe e tij dhe nga kjo ëndërr asgjë nuk është zgjuar.

Në thelb, ai që e di se e gjitha çfarë ndodhi me 7 korrik nuk është asgjë tjetër veçse iluzioni i fitores së nesërme është vetë ai. Ndryshe nga turma ekzaltuese, ku mendja heshti dhe metingashi foli, e bashkë me të edhe zonja që janë përlyer deri në rrënjë nga korrupsioni masiv, Berisha është aq i mençur të dijë se e gjitha çfarë ndodhi është pjesë e zemërimit ndaj qeverisjes dhe se, shumë nga ata që ishin në shesh do të kishin dashur një fitore të ardhshme, por pa atë vetë. Mes tyre dhe fitores qëndron njeriu që ka mbi vete vendimin e pazakontë në politikën shqiptare dhe askush nuk e ka harruar se jo shumë kohë më parë, kërcënimi i ardhur përtej Atllantikut ishte si kurrë më parë, i prerë, i qartë,  pa asnjë rrugëdalje.

Duke thirrur fitoren Berisha e di se në të vërtetë ky nuk është veçse fillimi i humbjes së ardhshme.

Çfarë humbi ai në 7 korrik dhe përse kjo humbje do të jetë fillimi i humbjes së ardhshme?

Së pari, e gjitha që ndodhi në fakt përbënte pjesën e dytë të ndarjes që ka ndodhur në vetë opozitën. Deputetët që e refuzuan, por edhe ata që ishin pjesë, më shumë se për gjithçka tjetër, vajtën të ishin pjesë, duke e menduar të ardhmen pa Berishën. Se si mund të ia arrijnë kësaj, askush nuk e di, por refuzimi në heshtje i disa bastioneve të tij, si Shkodra dhe përgjithësisht veriu i Shqipërisë, janë distanca e krijuar dhe llogaritë për të ardhmen nuk janë të mbara.  Berisha, përmes protestës, më shumë se sa përmes ligjit, ku një gjykatës kamikaz , me lidhje të afërta me familjen, vendosi që metingu i dhjetorit të vitit të shkuar të jetë legjitim. Ai e di se, duke qenë fitorja e tij e hapur, në të njëjtën kohë është humbja e tij e fshehtë. Koha kur ai vetë e kishte partinë e tij në grusht duket e largët, por precedenti i krijuar, më shumë se sa fitores, të sjell ndër mend të njëjtin e dikurshëm, si rrugën që hapi me rrëzimin e Meksit në vitin 1991, përsëri përmes forcës, dëbimin e Selamit – përmes dhunës,linçimin e mocionistëve, deri tani, ku një dyshe e zgërlaqur, bardhi – Alibeaj, më shumë se sa veten , kanë pas tyre një masë refuzuese të heshtur, që mund të shkojë pas tij vetëm në rast fitore, që dukete pamundur dhe e tillë do të jetë.

Së dyti, Berisha shpalli dokrinën e tij të armikut, si rrugën e vetme për të përballuar qeverisjen. Nëfakt, duke shpallur këtë doktrinë bëri të njohur kredon e tij në vitet e pasmë. Do të jetë e vështirë për të dhe pasuesit e tij të ia spjegojnë perëndimit përse zgjodhi një rrugë të tillë, përse e përcepton demokracinë si luftë, edhe kur vetë demokracia është e gjymtë, e cunguar dhe e korruptuar. Futja e tij në luftë është humbja e tij. Një lider, i zgjedhur apo rrëmbyes , kur thërret luftën, në fakt ai ka nënshkruar largimin e tij nga politika, ose edhe më tej se kaq, ridënimin e tij. Nëse mund të ketë pasur hezitime ndaj vendimit të Departamentit të Shtetit, për shpalljen non grata, lufta e shpallur e siglon të vërtetën , se, edhe pas 32 viteve, rikthimi në zanafillë është dështim dhe humbje.

Berisha e di këtë më mirë se të gjithë. Protesta e 7 korrikut ishte e njëjtë me protestat e 8 viteve të fundit. Mungoi frymëzimi dhe ai i vetëm nuk mund të ngjallë më shumë se sa entuziasëm të çastit. Kur ky çast të largohet, njerëzit do të shohin se ndryshimi nuk ka ardhur, ndaj shpallja e luftës në të ardhmen do të jetë promotori i lëvizjes së Foltores.

Së treti, Berisha kërkoi tëdërgojë mesazhin e tij në Rrugën e Elbasanit, për të ia përcjellë Washingtonit. Nuk ndodhi as njëra dhe as tjetra. Ambasada Amerikane ëri lajmërimin e zakonshëm për qytetarët e saj, që tëjenë të kujdesshëm në 7 korrik, përshëndeti ushtrimin e jo dhunës dhe të drejtën e protestës, vetëm kaq. Nuk ishte ngjarje për të dhe nuk do të jenë as protestat e ardhshme. Duke e njohur më mirë se askush tjetër natyrën shpërthyese të Berishës, kalimin nga saktësia në halucinacion, çastet e shpërthimit dhe natyrën e tij ë lëvizshme, nuk e morën seriozisht dhe nuk kanë ndër mend ta bëjnë këtë. Tundja e forcës ishte e papërfillshme dhe kështu do të vazhdojë të jetë. Zyrtarët e lartë më shumë vëmendje kanë për zhvillime të tjera, si hetimi i rinisur i 21 janarit, tragjedia e Gërdecit, akuzat për korrupsion madhor dhe pengim të drejtësisë, lidhjet e familjarëve të tij me struktura jashtë perëndimit, qëndrimet proruse të një sërë njerëzish pranë tij, ashtu si do të bëjnë çfarë është e mundur të largojnë nga rruga e dhunës dhe ufta e shpallur një grup figurash politike të opozitës, të cilët, edhe si besnikëri të herëshme, edhe si besim për një të ardhme ndryshe, aktualisht janë bashkuar me Berishën.

Mesazhi i Berishës nuk arriti në dyert e ambasadës amerikane, por as në përfaqësitë e tjera perëndimore. Ai e di këtë dhe do të bëjë lëvizjen e radhës, duke mbajtur sytë te porta që nuk po hapet. Si duket, është e mbyllur përgjithnjë dhe ai e kupton këtë. 7 korriku nuk arritidot te 4 korriku. Gjërat e vonuara janë gjithnjë të pa bereqetshme.

Së katërti , nga 7 korriku fillon “ Republika e tretë” e Berishës brenda gardhit të partisë së tij, por tani është një gardh i ngushtuar, bizar,  i përbërë nga figura rreth tij që përgjithësisht nuk ngjallin besim dhe që janë provuar. Me përjashtime të rralla , askush prej tyre nuk vlen.

Çfarë do të bëjë Berisha me forcën e tij politike, të cilën e rrëmbeu, por nuk e zotëron të gjithën? Protesta i dha të drejtë të jetë i pari, por pas tij nuk ka më fushë të lirë. Atë qëe mendoi ngritje, në fakt do të jetë rënie e pakthyeshme.

Askush tjetër nuk e ka dërmuar forcën e tij politike, se sa ai vetë. Nga 336 firmosësit e parë të krijimit të saj, në lisa ka mbetur vetëm ai, të tjerët , ose janë larguar në heshtje, ose janë dëbuar, ose janë bërë kundërshtarët e tij. Edhe sot e kësaj dite, mendje te ftohta e dinë se rruga e Berishës është e vetmja drejt greminës, por kanë gjithnjë shpresën se ai do të mund të fitojë dhe , në këtë rast , fitimtari nuk gjykohet. Në fakt, edhe pse nuk do të mund të fitojë me këtë opozitë copa- copa, ai do të ndëshkohet.

Së fundi, protesta u duk masive dhe njerëzit e mbledhur përbënin risi. Sidomos në ditë vape. Të dhënat e ndryshme për protestuesit nuk përbëjnë risi, pasi kështu ka ndodhur gjithnjë. Secilën protestë që ka organizuar ai apo pasuesit e tij, e kanë quajtur historike, më të madhen që ka ndodhur, të cilat janë nisur për të rrëzuar pushtetin dhe janë kthyer në mitingje elektorale.

Çudia ishte pikërisht e kundërta e saj: njerëzit e mbledhur, pas 9 vite qeverisje të Edi Ramës, ngritjes së çmimeve, politikës jo sociale të ndjekur nga qeveria, pas skandaleve të një pas njëshme, rritjes së çmendur të borxhit publik, PPP-ve fantazmë dhe krijimit të nepotizmit, vënien në sistem të Investitorëve Strategjikë, një lloj mafia e zbukuruar me vendime qeverie, kabinetit qeverisës që ende sot e kësaj dite janë gjysma e tyre të panjohur, pra kësaj lodhje të gjithanshme, duhet t’u përgjigjej një masë e jashtëzakonshme protestuesish, ndoshta edhe nga vetë idhtarët e qeverisë, të cilët, njëjtë si opozitarët ndjejnë mbi jetesën e tyre shtrëngimet e çmendura.

Kjo nuk ndodhi. Protestuesit e zakonshëm, bashkuar me shoqërinë civile??, partitë tjera opozitare, lësëistët që u janë vënë pas berishistëve për të shkëputur llokmën e radhës, nëse vijnë në pushtet, të thirrurit nga rrethet, metingashët e përhershëm, sidomos nga zonat rurale rreth Tiranës, edhe pse mund të duken shumë, ishin të paktë.

Nëse kaq janë protestuesit opozitarë, apo edhe dy herë më shumë, kjo do të thotë se qeveria do të ketë mandatin e katërt dhe asnjë shpallje lufte nuk e rrëzon atë.

Janë dy fakte të rënda: sipas një sondazhi, edhe jashtë Shqipërisë, m shumë se 40 për qind e të rinjve nuk besojnë më as te Rama dhe as te Berisha. Nuk besojnë më shumë te ky i fundit, megjithëse kur ndodhi viti 1997 ishin të vegjël ose nuk kishin lindur fare dhe nuk kanë në memorje tragjeditë e ndodhura. Ky refuzim është dërmues. Më mirë pranojnë të jenë shërbyes diku tjetër, jashtë Shqipërisë, se sa të bashkohen me këtë politikë.

Së dyti, në vitin 1989 shkalla e mirëqenies së popullsisë në Shqipëri ishte sa 28 për qind e mirëqenies së vendeve perëndimore. Aktualisht, pas tri dekadave pluralizëm ajo është mes 31 dhe 32 për qind. Është rritur vetëm tri ose katër përqind.

Berisha foli për luftë kundër korrupsionit, por kjo masë e madhe rinore, refuzuese ndaj tij dhe Ramës e dinë se njeriu i shpallur botërisht si njësi korruptive familjare është ai vetë. Si mund të kthejë besimin, kur vetë është i pa besuar? Berisha nxori në podium figura të njohura korruptive, ose të çartur nga mendja. Me këto do të bëjë një shtet ndryshe?

Mitingu mbaroi me 7 korrik. Nuk do të ketë një 7 korrik tjetër, pasi, çka deshi të arrijë, e arriti, dhe çfarë do të pësojë , këtë nuk do të jetë e largët dita ta mësojë./ DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit