Kryeministri i Italisë, Mario Draghi, ka njoftuar se do të japë dorëheqjen mbrëmjen e sotme.
“Dua të njoftoj se sonte do të jap dorëheqjen time në duart e Presidentit të Republikës. Votat e sotme në Parlament janë shumë domethënëse nga pikëpamja politike”, tha ia fillimisht.
Sipas tij, shumica e unitetit kombëtar që e ka mbështetur këtë qeveri që nga krijimi i saj nuk është më.
“Pakti i besimit që qëndron në themel të veprimit të qeverisë ka dështuar. Ditët e fundit ka pasur përkushtimin maksimal nga ana ime për të vazhduar rrugën e përbashkët, duke u përpjekur edhe për të plotësuar nevojat që më janë paraqitur nga forcat politike”.
Draghi falënderoi ministrat për “punën dhe rezultatet e shumta të arritura.
“Ne duhet të jemi krenarë për atë që kemi arritur, në një moment shumë të vështirë, në interes të të gjithë italianëve”.
E gjithë situata e krijuar erdhi pasi Qeveria italiane fitoi të enjten e 14 korrikut një mocion besimi në Dhomën e Lartë të Parlamentit për masat që synojnë të ndihmojnë në përballimin e krizës së kostos së jetesës.
Kjo pavarësisht se Lëvizja 5-Yje zbatoi vendimin e saj për të bojkotuar votimin.
Mocioni u miratua me 172 vota pro dhe 39 kundër.
Draghi, tha në fillim të kësaj jave qeveria e tij nuk mund të vazhdonte pa mbështetjen e 5-Yjeve dhe ka përjashtuar mundësinë e udhëheqjes së një koalicioni me një përbërje të ndryshme.