Shqipëria e mesme u shkund mbrëmjen e djeshme nga një tërmet i fortë që shkaktoi panik dhe frikë, por fatmirësisht jo dëme, as në njerëz dhe as materiale.
Epiqendra ishte në Librazhd, por në fillim Instituti i Gjeo-shkencës dhe aplikacioni “EMSC” që publikon lëkundjet sizmike shkaktuan anomali lidhur me epiqendrën dhe magnitudën.
Njoftimi i parë ishte se tërmeti ishte me epiqendër Lezhën 3.8 ballë dhe më pas në të dhënat e përditësuara u saktësua se goditja ishte në Librazhd në fillim 4.1 ballë dhe më pas përfundimisht ishte 3.5 ballë.
Sizmologu Edmond Dushi i kontaktuar nga “5pyetjet.al” sqaron këtë anomali. “EMSC”-ja merr për bazë informacionin që japim ne. Ajo ndjek vetëm një rutinë automatike dhe ka një fuzion të dhënash.
Ata nuk merren me përpunimin e të dhënave, por i kalojnë automatikisht. Zgjidhjet automatike janë të gabuara, janë të parat, bazohen te informacioni i parë. Ajo që u raportua për Lezhën ishte zgjidhje automatike, iu referua zonës së afërt.
Nëse te “EMSC” e ka indeksin “A” është zgjidhje automatike, nëse e ka “M” është manuale, e sakta që do gati 10-15 minuta pas tërmetit për t’u vendosur. “EMSC” është portal dhe nuk është rrjet” tha ai.
Ndalur te karakteristikat e tërmetit që ra mbrëmë, sizmologu sqaroi se ishte tipik i cekët, prandaj lëkundja u ndje shumë.
“Ne si Shqipëri jemi një segment shumë i vogël i pjesës perëndimore euro-aziatike. Ne jemi një pllakë, ndërsa zonat e brendshme janë karakterizuar në bazë të aktivitetit sizmik.
Korja e tokës është e copëtuar, ka mikro-faktuara dhe çarje. Kjo është një zonë thyerjesh normale.
Thellësia tipike për Shqipërinë 10-15 km, që karakterizojnë koren e tokës, kështu që ne i kemi nga 1 km deri në 20 km, disa zona ka edhe 30 km.
Por këto janë raste të rralla. Pjesa më e madhe janë përqendruar në pjesën e sipërme të kores së tokës.
Thellësia e tërmetit mbrëmë 6 km ishte tipike. Tërmeti mbrëmë ishte i cekët” deklaroi ai për “5pyetjet.al”.









