Nga Dylber Balla
Kryetari i bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi denoncoi katër ditë më parë se është goditur “me grushte dhe ofenduar për shkak të detyrës” nga Dritan Sterkaj, që rezulton se është i afërt i deputetit socialist, Paulin Sterkaj. E ndërsa kryetari i bashkisë nuk pranoi që të flasë më shumë, policia njoftoi se nisi hetimet dhe në media u përhap me shpejtësi lajmi se është shpallur në kërkim dhe se bëhet fjalë për një sherr për taksat dhe një pishinë pa leje te “Divjaka resort” që e menaxhon i riu. Por çfarë pretendimi ka pala tjetër, e denoncuar nga Fredi Kokoneshi? “5pyetjet.al” kontaktoi zotin Dritan Sterkaj, i cili tha sqaroi versionin e tij dhe theksoi se nuk është në kërkim.
Intervista për “5pyetjet.al” e Dritan Sterkajt
Zoti Sterkaj, cili është versioni juaj për denoncimin që ka bërë kryetari i bashkisë së Divjakës Fredi Kokoneshi për dhunë?
Janë thjeshtë shpifje. Dëshmitarët kanë treguar tjetër gjë komplet. Vetëm një ndërrim llafesh dhe kaq, asgjë më shumë.
Pra, ju nuk keni pasur fare konflikt fizik me Kokoneshin?
Jo!
Përse e ka bërë?
Mendoj se është shpifje. Dëshmitarët thanë të gjithë të kundërtën e asaj që pretendon ai.
Por përse mendoni se po shpif?
Nuk e di! Nuk e di! Ai kaloi aty dhe më tha malok dhe ishte një ndërrim llafesh dhe kaq.
E dini që jeni në kërkim?
Jo. Nuk jam. Nuk është e vërtetë. Unë shkova në komisariat dhe bëra denoncim dy orë përpara tij për këtë që më ofendoi, më tha malok.
Nuk ka qenë shkak një konflikt që lidhet me resortin?
Nuk ka lidhje. Unë jam i punësuar. Resorti nuk është i imi.
Ju jeni i afërt i zotit Paulin Sterkaj?
E kam kushëri zotin Sterkaj.