Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim ka inkurajuar gazetarët që të bëjnë pyetje të vështira dhe se është detyrë e zyrtarëve që të përgjigjen. Po nëse nuk përgjigjen? “Nëse zyrtarët nuk u përgjigjen pyetjes tuaj, përsëriteni dhe përsëriteni sërish. Kërkojuni kolegëve tuaj të bëjnë të njëjtën pyetje derisa zyrtarët, pavarësisht se kush janë ata, të përgjigjen” tha ajo.
“Presidenti Biden tha së fundmi në Ditën e Lirisë së Shtypit se “shtypi i lirë nuk është armiku i njerëzve. Përkundrazi, kur atë e nxit puna për të ndriçuar dhe edukuar, dhe jo për të ndjellur zemëratë apo argëtuar, shtypi është rojtari i së vërtetës”.
Shpresoj se keni mësuar se si të jeni vëzhgues më të mirë dhe shpresoj t’ju shoh në terren duke zbatuar ato që keni mësuar – duke i kërkuar llogari autoriteteve qeveritare, duke hedhur dritë mbi informacione që disa njerëz përpiqen t’i fshehin dhe duke ofruar transparencë.
Ju nxis që të vazhdoni të mësoni, por edhe të edukoni të tjerët, përfshirë edhe zyrtarët që intervistoni, mbi dy gjëra të rëndësishme: se është detyra juaj të bëni pyetje të vështira dhe se është detyra e tyre të japin përgjigje.
Është detyra juaj profesionale dhe një shërbim publik të bëni pyetje. Është detyra e zyrtarëve, duan apo nuk duan ata, që t’iu përgjigjen pyetjeve. Nëse zyrtarët nuk u përgjigjen pyetjes tuaj, përsëriteni dhe përsëriteni sërish. Kërkojuni kolegëve tuaj të bëjnë të njëjtën pyetje derisa zyrtarët, pavarësisht se kush janë ata, të përgjigjen.
Shpresoj që të vazhdoni të punoni fort për të ndriçuar, edukuar dhe për të qenë rojtarët e së vërtetës që i duhen demokracisë së Shqipërisë” tha ajo.
Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama pati një tjetër incident me një tjetër gazetar dhe pasi nuk i pëlqeu pyetja i hoqi tre muaj të drejtën që të marrë pjesë në konferencat e tij në selinë e qeverisë.