-sidi education-spot_img
21.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Viktor Malaj: Shqipëria e sotme dhe “magjia” e koncesioneve

Kryesoret

“Duhet të siguroheni që njerëzimi të shërbehet nga të pasurit
dhe jo të sundohet prej tyre”.
Papa Françesku

Shumica e shqiptarëve nuk e kishin dëgjuar kurrë fjalën koncesion, ose thjesht e kishin lexuar në librat e historisë si diçka e keqe e përdorur nga qeveritë e kohës së monarkisë. Edhe sot, kur shtypi dhe TV buçasin përditë kundër koncesioneve, shumica e njerëzve as që ia kanë idenë çfarë janë e si funksionojnë ato. Po t’iu referohemi fjalorëve të gjuhëve të ndryshme na del se fjala koncesion, veç të tjerave, do të thotë dhënie e një të drejte, lëshim, privilegj etj.

Mirëpo tek ne duhej të dilnin në skenë udhëheqës të ndritur dhe largpamës, nga ata që e kalojnë jetën politike hipur në makina dhe shoqëruar me varganë makinash të tjera të mbushura me matrahulë, zorraxhinj, lamashë e vandalë të armatosur e të dhunshëm nga të cilët marrin frymëzime demokratike, ose udhëheqës që i kthejnë zyrat qeveritare në fusha basketbolli apo studio zhargavinash artistike, në mënyrë që tek ne koncesioni të ngrihej në nivelin e një zotërie hijerëndë dhe të kudondodhur.

Dalja në skenë dhe qeverisja e vendit nga këto dy kategori të ndritura individësh politikë na ka dhënë mundësinë që ta kuptojmë më mirë koncesionin, madje t’i japim atij statusin e shpëtimtarit në fushën e ekonomisë dhe ta nderojmë si Zoti (Mister) Koncesion. Udhëheqësit tanë të shndritur, por edhe të gjithëditur, aq sa edhe rrufjanë e matrapazë, po bëjnë çmos të na bindin për qëllimet e mira dhe domosdoshmërinë e zbatimit të koncesioneve si forma të zhvillimit demokratik/kapitalist të ekonomisë tonë.

Duke pasur parasysh arsyetimet e tyre “bindëse” na rezulton se shumë, ose të gjithë sektorët e ekonomisë, kulturës, mbrojtjes etj. duhen dhënë me koncesion tek privatët. Sipas teoricienëve tanë të shquar, meqenëse shteti ynë është i dobët ekonomikisht dhe i pafuqishëm administrativisht, duke pasur parasysh edhe faktin që individët sipërmarrës janë edhe më të kualifikuar dhe interesuar për zhvillim e fitim, ne duhet t’ua besojmë këtyre individëve prodhimet dhe shërbimet bazë të jetës dhe jetesës tonë.

Pasi iu dhanë biznesmenëve tanë “të ndershëm” me koncesion shumicën e pasurive mbi- e nëntokësore, portet e aeroportet, shërbimet mjekësore, rrugët dhe ambientet sportive, tani na thonë se do të bëjnë të njëjtën gjë edhe me qendrat arkeologjike, kulturore e turistike. Po, çfarë do të thonë të gjitha këto në gjuhën e thjeshtë popullore? Këto thonë se pasuritë e përbashkëta mbi- e nëntokësore, pasuritë natyrore dhe ato të krijuara për shekuj nga puna dhe djersa e shqiptarëve, tani iu duhen dhënë një grushti individësh që qëndrojnë mbi ne por edhe të “prirë” për të na shërbyer me përkushtim e nivel të lartë. Kështu, Shqipëria do të kthehet nga pronë dhe vend i gjithë shqiptarëve, në pronë i një grushti njerëzish “të zgjedhur”, i një “elite” morale e intelektuale të quajtur VIP-a, aristokraci, fisnikëri apo çfarëdo përcaktori tjetër përkëdhelës, të cilët do të fitojnë monopolin dhe të drejtën historike për të na sunduar sot e mot.

Duke iu besuar shumë politikanëve tanë të ndershëm, të përkushtuar, humanë dhe modernë, edhe unë po “e mirëpres” ardhjen e koncesionit dhe e shpall atë si “shpëtimtarin” tonë qytetar, shoqëror e kombëtar. Përveç sa më sipër, unë besoj dhe propozoj që të jepen me koncesion edhe arsimi, krejt mjekësia, akademia e shkencave, mbrojtja e vendit dhe, rendi, sidomos sistemi ynë i nderuar i drejtësisë.

Meqenëse, siç na mësojnë udhëheqësit tanë largpamës “perëndimorë”, individët e biznesit tek ne janë më të pasur se shteti, më të aftë se shtetarët tanë të të gjithë krahëve, më të ndershëm e të përkushtuar se të zgjedhurit tanë, atëherë le t’ua besojmë atyre të gjithë sektorët e jetës tonë, madje edhe jetët tona vetë. Ata vërtetë udhëhiqen në jetë e në punë nga ligji i fitimit, por neve nuk na vjen ndonjë gjë e keqe paçka se ata janë duke fituar shumë dhe në kurrizin tonë të përkulur. A nuk thonë përditë gjithfarë njerëzish të ditur, të politikës e të medias se “Nuk të vjen e keqja nga ai që ka!”?

Ata që s’kishin asgjë dhe sot kanë shumë, ata që “të pabrekë i zuri dreka, milionerë i gjeti darka” (Ali Asllani), ata që s’paguajnë taksa e tatime dhe na i shesin mallrat e shërbimet “sa i biri t’ ëmën”, që s’na paguajnë rrogat apo na japin për një muaj punë sa shpenzojnë ata vetë për një “kafe”, tani e tutje do të bëhen shërbëtorët tanë të përunjur dhe, madje, shpëtimtarët tanë. Ata janë më të aftët megjithëse ne kemi zgjedhur të tjerë si të tillë. Ata do të na qajnë dhe zgjidhin hallet, megjithëse një gjë të tillë na e patën premtuar të votuarit prej nesh. Ata do të bëjnë çmos për të shtuar fitimet e tyre, por s’do të lënë gur pa lëvizur për të na shërbyer neve, do të propozojnë dhe “lobojnë” për ligje që favorizojnë ata, por që na shërbejnë edhe ne. Madje hallet tona do t’i kenë gjithnjë si qëllim kryesor.

Përfundimisht, ne do të jemi të lumtur sepse do të vijë koha që gjithë pasuritë tona kombëtare, që dikur na përkisnin të gjithëve dhe kishin edhe ndihmesën e të gjithëve, tani e tutje do iu përkasin një grushti njerëzish “të zgjedhur”, ndërsa ne do iu lutemi për gjithçka dhe do i paguajmë për shërbime të kryera e të pakryera, të kryera mirë por edhe keq.

Në fund të fundit, politikanët tanë liberalë, modernë e demokratë na kanë thënë qysh në fillim se ata do të vendosin në qendër individin dhe jo shoqërinë si në sistemin e kaluar kriminal, prandaj pasurimi me çdo kusht e mjet i individit mbetet shqetësimi i tyre kryesor, edhe nëse këta individë të pasur do të përbëjnë një për qind të popullsisë. Pjesa tjetër e popullit duhet të mos shqetësohet pasi kjo është një “periudhë tranzicioni” e cila mund të zgjasë 50 apo 100 vjet. Kush do le të presë, kush s’ka durim le të marrë rrugët e botës. Kjo është “demokracia”. E rëndësishme është që ne jemi të lirë, jemi anëtarë të NATO-s dhe, ndoshta, do të bëhemi të BE-së.

Meqenëse duket qartë që thuajse çdo gjë do të jepet me koncesion tek individët sipërmarrës dhe të zotë, unë do të propozoja që, për të lehtësuar punën e qeverisë dhe shkurtuar kohën e saj të punës, Parlamenti shqiptar duhet të miratojë një ndryshim kushtetues ku të sanksionohet që e gjithë Shqipëria të jepet me koncesion.

Në këtë mënyrë ne nuk do të kemi nevojë për parti politike, parlament apo qeveri. Biznesmenët koncesionistë do të jenë njëkohësisht edhe politikanë, ligjbërës e ligjzbatues, prokurorë, avokatë, gjyqtarë e policë. Kështu, edhe pakësojmë shpenzimet që bëjmë për të paguar politikanët dhe administratën shtetërore, shpenzimet për fushata zgjedhore, edhe zhdukim aleancën e shenjtë politikë-biznes dhe luftojmë korrupsionin, sepse njerëzit e padijshëm, njerëzit dashakëqij dhe, sidomos, ata që i përkasin monizmit po na thonë se koncesioni ka një djalë që quhet korrupsion dhe një vëlla mjaft të zotin që quhet tender, pa folur për kushërinjtë me emrin e përbashkët: Monopol.

Meqenëse biznesmenët qenkan më të pasur financiarisht dhe më të aftë administrativisht, shkurt më të zotët se shteti, atëherë për çfarë na duhet shteti?! Pse të kemi dy zotërinj mbi krye, edhe shtetin edhe biznesin, të parin si zot të zgjedhur prej nesh dhe të dytin si zot që është forcuar në kurrizin tonë dhe, në aleancë me të parin, qenka bërë zoti ynë, por edhe zoti i shtetit “tonë”?!

Në këtë mënyrë ne ndreqim një padrejtësi që i kemi bërë deri tani leksikografisë, i vëmë emrin e vërtetë sistemit politik dhe e quajmë oligarki, ndërsa emrin demokraci, që e kemi përdorur deri tani si maskë, e ruajmë për një të ardhme të largët dhe për sistemin që do të ndërtojnë breza shumë më të denjë se i yni, nëse do të ekzistojnë ndonjëherë. Nuk shkon të vazhdojmë të fshihemi dhe të jetojmë me maska. Jemi të lirë, apo jo?!

Sot nuk na hyjnë në punë thënie të tilla si ajo e Luis Brandeiz (Louis D. Brandeis), ish-anëtar i Gjykatës së Lartë të SHBA-së, që thoshte se “Ose do të kemi demokraci në këtë vend, ose do të kemi përqendrimin e pasurive të mëdha në pak duar, por nuk mund t’i kemi të dyja njëkohësisht”.

Nuk na hyjnë në punë se tashmë tek ne po konkurrojnë të dyja, qeveritarët dhe përfituesit thërrasin me ngazëllim: Rrofsh e qofsh Mister Koncesion! Ndërsa ne, që s’kemi gjë në dorë u hakërrehemi me vargjet plot mllef të Ali Asllanit:

Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakejve,
Hani, pini e rrëmbeni, është botë e maskarenjve…..
Dhe kërkoni me ballëhapur, komb i varfër t’ju thërresë,
Gjithë me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkëlqesë.

/Botuar në DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit