Greqia është kthyer tashmë në një mbështetëse kryesore për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për negociatat pas një historie disa vjeçare ku shteti helen bllokoi hapur plot 27 vite radhazi Maqedoninë me rrugën e integrimit duke e detyruar këtë shtet në 17 Qershor të vitit 2018 të ndryshojë emrin me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës.
Po ashtu Greqia këmbënguli për vite me radhë që në kornizën qeveritare me Shqipërinë të përfshinte çështjen e ndarjes së detit dhe regjistrimit të popullsisë dhe pronave të minoritetit grek sidomos në zonat bregdetare. Në prag të konferencës së parë ndërqeveritare të BE-së me të dyja shtetet ministri i Jashtëm grek Niko Dendias shprehu entuziazmin e tij.
“Dëshiroj të shpreh në radhë të parë kënaqësinë e qeverisë greke sepse të martën, mbahet më në fund, takimi i parë ndërqeveritar me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ky event do të zhvillohet në Bruksel pas një përpjekjeje të gjatë dhe një procesi veçanërisht të dhimbshëm.
Pala greke mbështet fuqishëm çështjet e Ballkanit Perëndimor duke propozuar ofrimin e statusit kandidat për Bosnjë-Hercegovinën”.
I would like to express the Greek government’s satisfaction because the 1st Intergovernmental Conference with Albania & North Macedonia will finally take place here in Brussels tomorrow, after long efforts and a particularly arduous process (statement upon arrival at the EU FAC). pic.twitter.com/GTJ4cQoW69
— Nikos Dendias (@NikosDendias) July 18, 2022
Konferencat e para ndërqeveritare me BE-në këtë të martë shënojnë hapjen zyrtare të negociatave të pranimit.
Shqipëria ka disa kushte para se të ketë mundësinë e një konference të dytë ndërqeveritare. Ndër këto kushte pjesë e kornizës negociatore me BE-në janë edhe miratimi i paktit detar me Greqinë, regjistrimi i pronave të minoritarëve në bregdet si dhe dënimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve që u përjashtuan pas vettingut nga sistemi gjyqësor me pasuri të pajustifikuara dhe lidhje me persona të krimit të organizuar.
Maqedonia e Veriut duhet të bëjë ndryshime kushtetuese për të përfshirë komunitetin bullgar në kushtetutën e saj përpara se të hapë kapitujt e negociatave të rigrupuar në grupe. Në vitin 2019 Franca, Hollanda dhe Danimarka bllokuan hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe lënien e Maqedonisë së Veriut të ecte e vetme drejt negociatave.
Më pas me realizimin e kushteve për reformën në drejtësi, atë zgjedhore dhe në administratën publike, vendit tonë iu hap rruga por vetoja bullgare ndaj Shkupit e vonoi procesin deri në këtë të martë të 19 Korrikut të vitit 2022. Shqipëria aplikoi per statusin kandidat më 28 Prill të vitit 2009. Pesë vite më vonë në vitin 2014 u bë dhënia zyrtare e statusit kandidat dhe tetë vite më vonë hapja e negociatave.