Ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha shprehet se hapja e negociatave dhe puna për cdo kapitull me kontrollin e BE-së për ecurinë e zbatimit të kushteve, është rruga e vetme për ta bërë Shqipërinë si Europa. “Vendimi i BE për të nisur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë është një hap që do të mbështesë Shqipërinë në rrugën drejt plotësimit të një ëndrre që e ndajnë të gjithë shqiptarët, anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.
Hapi i sotëm është edhe një detyrim nga i cili nuk mund te ikë askush, për të përmbushur kriteret në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zbatimit të reformës në drejtësi, çlirimin e ekonomisë nga monopolet dhe nga oligarkia, konkurencën e lirë si parakusht i zhvillimit ekonomik që krijon vende pune, reformën në administratën publike, respektimin e lirive dhe të drejtave të nëpërkëmbura të qytetarëve, lirinë e medias e mbi të gjitha garantimin e votës së lirë për shqiptarët. Kjo është e vetmja rrugë për ta bërë Shqipërinë si Europa” thotë ai.