Kryeministri Albin Kurti tha se Qeveria duhet t’u përgjigjet me ndërhyrje çmimeve të larta të produkteve bazike.
“Çmimet kur janë të papërballueshme për qytetarët, do të duhej të kenë edhe një përgjigje nga ana e institucioneve”, tha Kurti në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.
Përgjigjja e Ekzekutivit, Kurti tha se “së shpejti do të vije”.
Qeveria e shtoi në agjendën legjislative të këtij viti edhe Projektligjin për mbrojtjen e furnizimit me produkte themelore dhe Kurti tha se për dy javë pret që t’ia bëjnë gati draftin.
“Besoj se rreth dy javë kohë janë të mjaftueshme që Ministria të ma sjellë mua draftin e projektligjit përkatës”, tha Kurti.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, javën e kaluar tha se në disa vende është shtrenjtuar buka, pacarësisht se çmimet e grurit dhe miellit “kanë rënë për 7%”.
Hajdari tha se po e analizojnë situatën në treg dhe lëvizjen e çmimeve të produkteve esenciale ndërsa njoftoi se e kanë krijuar një grup të dytë punues për masën ligjore për produktet esenciale.
Ky grup do të analizojë se çfarë masa ligjore duhet të merren për produkte si gruri, mielli, buka, sheqeri, orizi, kripa, vezët, sapuni, etj.