Nënkryetari i Partisë Demokratike, Lucino Boçi në një deklaratë për mediat është shprehur se PD-ja do ta mbështesë pa asnjë hezitim procesin e çeljes së negociatave.
Nga ana tjetër ai nuk i ka kursyer kritikat për Ramën dhe zgjatjen e procesit për 9 vite. Boçi nuk ka lënë pa përmendur dhe fyerjet që ky i fundit ka adresuar për partnerët evropian pas kritikave për amnistinë fiskale.
“Edi Rama u kthye nga Brukseli dhe nxori orkestrën në rrugë për të festuar një datë që ka 10 vjet që e mban peng.
Festoi siç e ka zakon, edhe para katër vjetësh, me dekorata, shampanjë dhe fishekzjarrë hapjen e negociatave duke i gënjyer shqiptarët sy për sy, se negociatat ishin hapur.
Ngriti flamurin e BE ndërkohë që vlerat e saj i nëpërkëmb çdo ditë. Mjaft të kujtoni fyerjet në adresë të përfaqësuesve të vendeve europiane kur i kritikuan amnistinë fiskale.
Foli si monist për opozitën dhe e konsideroi të ndarë, duke i mbyllur sytë para bashkimit të madh popullor dhe opozitar më 7 korrik.” ka thënë Boçi.
Po ashtu ai ka shtuar se Shqipërinë e presin hapa të gjatë përpara deri në anëtarësim dhe ka renditur pikat kryesore që duhen plotësuar.
“Për të filluar negociatat, vendi kandidat duhet të plotësojë vetëm kriteret politike, të tjerat duhet të përmbushen gjatë fazës së negociatave;
-Nëse vendi nuk bën progres negociata ngecin në vend;
-Çdo vend anëtar mund të kundërshtojë mbyllje ose hapjen e kapitujve të anëtarësimit;
-Secili vend anëtar mund të pengojë avancimin e negociatave, nëse nuk përmbushen kriteret e kërkuara. Reagimi i Bundestagut gjerman dje ishte i qartë në këtë pikë.
-BE nuk do të jetë thjesht vëzhguese dhe këshilluese në proceset e brendshme nga sot e tutje. Kjo do të rrisë presionin mbi qeverinë dhe do t’ia bëjë të vështirë që të mbulojë të metat dhe hilet me propagandë,” ka përfunduar Boçi.