Kërkesa e PD-së për një rezolutë për gjenocidin serb në Kosovë, përplasi kryeministrin Edi Rama me kryetarin e grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj në Kuvendin e Shqipërisë. Deputeti i PD-së, kërkoi që në rezolutën kundër Dick Martyt të futet edhe amendamenti për gjenocidin serb në Kosovë.
“Unë kam paraqitur një amendament, kam kërkuar që në atë projektrezolutë që e keni paraqitur ju, që ne e mbështetëm të parashikohet që ky kuvend të njohë gjenocidin serb në Kosovë. Ju keni paraqitur një projekt rezolutë që me të drejtë duhet mbajt një qëndrim për mekanizimin e Dick Marty, por shkaku është gjenocidi serb në Kosovë, pse ke frikë të përmendësh dhe ta votosh? Sipas rregullores, 24 orë para seancës, i ke aty.
Kush je ti që i heq të drejtën për të paraqitur amendamente. Në komisionin e politikës së jashtme, shkova dhe prezantova pr/ rezolutën, nuk pati asnjë problem nga PS, keni vetëm frikë. Nga ju buron? Cfarë është kjo frikë kaq e madhe që të bëni hasha atë që ndodhi në Kosovë, gjakun tonë, ka ndodhur gjenocid serb, kujt po ja bëni nderin, frikën kujt ia keni? Je duke shkelur rregulloren. Kjo seancë këtu, shihet këtu dhe atje dhe e kanë kuptuar cila është fytyra juaj” tha ai.
Por, Edi Rama tha se nuk mund të miratohet asnjë rezolutë për gjenocidin serb në Kosovë pë u dakordësuar më përpara me aleatët që e çuan Prishtinën drejt pavarësisë, referuar SHBA-së. Më pas, kryeministri tha se PD e ka përdorur gjithmonë Kosovën sa herë pa pasur probleme të brendshme.
“Është sa e thjeshtë dhe aq e neveritshme. Po të shikosh historinë e deklaratave dhe rezolutave shikon edhe ndryshimin si nata me ditën mes jush dhe nesh. Mes asaj që thuhet PD dhe tani nuk e di si quhet dhe nesh, PS-së. Sa herë ka pasur një krizë keni futur në mes viktimat e Kosovës.
Sa herë iu është dashur të nxirrni nga axhenda probleme të caktuara, shikojeni si përkon me rezolutat dhe deklaratat për Kosovën, pa lidhje. Zgjohuni ju në 2022 dhe kujtoheni për Srebrenicën, ju jeni gati t’i zhvarrosni, ti fusni në varrin masiv për t’u thënë që socialistët nuk duan. Po shisni dëngla. Cilin gjenocid doni të aprovojë parlamenti, meqë thoni keni frikë? Ai shtet i lirë dhe sovran, është krijuar nga ata pa të cilët as ju, as ata në Prishtinë nuk duhet të bëjnë asnjë hap.
Ju dhe ata nëse doni bëjeni. Përsa kohë do të jemi ne, nuk i bëjmë. Përpara se të kuturiseni për një hap të tillë për të zgjidhur problemet mes foltores dhe gojores, duhet dakordësia e aleatëve, se nuk mund të bëhemi si foltorja dhe gojorja. U miratua rezoluta për Srebrenicën, po por kur ishte planifikuar në ditët e Sreberenicës, dhe jo në ditët e foltores dhe gojores” tha ai.