Kryeministri Edi Rama sulmoi hapur opozitën në Kuvend në seancën e sotme. Edi Rama tha se nuk mund të miratohet asnjë rezolutë për gjenocidin serb në Kosovë pa u dakordësuar më përpara me aleatët që e çuan Prishtinën drejt pavarësisë, referuar SHBA-së. Më pas, kryeministri tha se PD e ka përdorur gjithmonë Kosovën sa herë pa pasur probleme të brendshme.
“Është sa e thjeshtë dhe aq e neveritshme. Po të shikosh historinë e deklaratave dhe rezolutave shikon edhe ndryshimin si nata me ditën mes jush dhe nesh. Mes asaj që thuhet PD dhe tani nuk e di si quhet dhe nesh, PS-së. Sa herë ka pasur një krizë keni futur në mes viktimat e Kosovës.
Sa herë iu është dashur të nxirrni nga axhenda probleme të caktuara, shikojeni si përkon me rezolutat dhe deklaratat për Kosovën, pa lidhje. Zgjohuni ju në 2022 dhe kujtoheni për Srebrenicën, ju jeni gati t’i zhvarrosni, ti fusni në varrin masiv për t’u thënë që socialistët nuk duan.
Po shisni dëngla. Cilin gjenocid doni të aprovojë parlamenti, meqë thoni keni frikë? Ai shtet i lirë dhe sovran, është krijuar nga ata pa të cilët as ju, as ata në Prishtinë nuk duhet të bëjnë asnjë hap.
Përpara se të kuturisemi ne të ndërmarrim një hap të tillë në 2022 për të zgjidhur problemet mes foltores dhe gojores duhet të dakordësia e aleatëve tanë se nuk mund të bëhemi ne si foltorja e gojorja në sytë e botës dhe në sytë e asaj bashkësie demokratike pa të cilën nuk do të kishte Kosovë fare, as të pavarur, as demokratike e as autonome” tha Rama.