Dy janë shtetet e dyshuara që fshihen pas sulmit kibernetik kundër faqeve të shërbimeve publike në Shqipëri. Kështu tha sërish sot Edi Rama që e cilësoi sulmin bombardim por nuk pranoi që të fliste për emrat e shteteve që dyshon. Ai tha se po mblidhen prova për të vepruar më pas. Rama tha se pasi të identifikojnë shtetin që qëndron pas sulmit do të marrim hapa diplomatikë.
“Skuadra e AKSHIT ka punuar natë dhe ditë dhe do të kemi një konferencë të posaçme për shtyp edhe me partnerët kur gjithçka të ketë përfunduar kur skuadra nga SHBA të mos ketë më nevojë të qëndrojë në tryezë me ekspertët tanë.
Ajo që dua të them është se sulmi nuk është i organizuar nga hakera të zakonshëm dhe as nga grupe njerëzish të kësaj bote të errët që bëjnë shpesh herë ndërmarrje të tilla edhe ndaj shteteve edhe shumë më të mëdha duke bllokuar edhe sisteme kritike në gjoba për të vendosur gjoba të majme. Ky është një agresion i organizuar nga një shtet.
Nuk kemi ende të gjitha provat për të përcaktuar një prej tyre shteteve të dyshuara, shpresoj ta bëjmë në vijim. Kjo është pjesa më delikate. Roli i disa burimeve të informacionit ka qenë destruktiv dhe një rol i papranueshëm për një shoqëri demokratike, nuk e kuptojmë arsyen pse Top Channel është angazhuar në një fushatë dizinformimi masiv që në kushtet kur bëhet fjalë për të dhëna dhe shumëçka që lidhet me bazën e shtetit me inventarin krijon panik” tha ai.