Ish-kryeministri Sali Berisha në një konferencë për mediat, si cdo të premte, dënoi gjuhën e përdorur nga Edi Rama dje në Kuvend, “foltore dhe gojore” dhe përgëzoi deputeten Grida Duma për përgjigjen që i dha. Ai e përfshiu edhe njëherë Edi Ramën në arrestimin e Hashim Thaçit.
“Edi Rama përdori cdo fjalor, që nuk mund ta përdorë kurrë një zyrtar para kamerave në prani të një kolektiviteti, por në prani të askujt. E bëri këtë, për dy arsye, e para për të mbuluar refuzimin nga ana e tij, të pranimit të gjenocidit serb në Kosovë, që të cilën e pret mbarë kombi shqiptar dhe e bëri për të mos lidhur atë që kanë lidhur vetë serbët, raportin e Dick Martyt me Beogradin.
Vasali i Vucic nuk guxon të ngre cështje si duhet, aty ku preket Serbia. E përgëzoj Grida Dumën për përgjigjen e merituar që i dha dhe shpreh mos aprovimin tim për qëndrimin e kryetares së parlamentit dhe atyre zonjave që dëgjuan kreun e tyre të flasë si halabak që nuk kërkuan ndërprerjen e seancës dhe nxjerrjen e tij jashtë.
Ajo ishte një seancë për të mbuluar rolin indirekt të Ramës në procesin e arrestimit të udhëheqësve të Kosovës. Duke pretenduar të bëhet lider rajonal dhe global, lidhi proceset në mënyrë fatale, të gjykimit të Hagës me ndryshimin e kufijve” tha Berisha.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha iu përgjigj Edi Ramës duke shpjeguar se përse nuk mori pjesë dje në votimin në Kuvend të rezolutës kundër Dick Martyt, që propozoi PS-ja. “Për një arsye pune nuk mund të isha por deklarova votën pro, në parlament.
Thashë se do ta votojmë këtë rezolutë. Për pozicionin që kam kjo është kryesorja. Ne kishim vendosur ta votojmë dhe këtë e deklarova, obligime të tjera nuk më lejuan të isha në parlament në momentin që u votua. Vota ime ishte pro dhe nuk mund të ishte kundër” tha ai.