Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberin, të cilin e ka uruar për rizgjedhjen.
Sipas njoftimit të zyrës për media të presidentës Osmani, kjo e fundit ka thënë se është e rëndësishme që u sigurua vazhdimësia e përfaqësimit të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit dhe se Shaip Kamberi do të jetë zëri artikulues i kërkesave të shqiptarëve.
”Presidentja theksoi se në të gjitha takimet me përfaqësues ndërkombëtar e ka ngritur shqetësimin për problemet me të cilat përballen shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit dhe se duhet thelluar përpjekjet për ndërkombëtarizimin e çështjes së shqiptarëve’’, thuhet në njoftim.
Sipas saj, është i rëndësishëm koordinimi i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve shqiptarë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit për t`i adresuar të gjitha çështjet që ndërlidhen me pozitën e tyre.
Kurse deputeti Shaip Kamberi ka falënderuar presidenten Osmani, e cila vazhdimisht ka folur për problemet me të cilat përballen shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.
Është dashur të përsëriten plotë pesë herë zgjedhjet në Tërnoc të Luginës së Preshevës që Shaip Kamberi të rizgjedhet deputet i Kuvendit të Serbisë dhe zëri i shqiptarëve të Luginës edhe në këtë përbërje legjislative atje.
Kamberi në garë ishte me Partinë Socialiste të Ivica Daçiç.









