-sidi education-spot_img
0.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Përdhunimet gjatë luftës në Kosovë heton vetëm nga dy policë

Kryesoret

Ndër krimet më të mëdha të kohës së luftës, Kosova i heton me dy policë – më shumë kapacitete nuk ka.

Aktualisht, janë 78 raste të raportuara në polici për dhunë seksuale në luftë – gjashtë prej tyre të paraqitura këtë vit.

Shifrat e sakta nuk dihen, por llogaritet se numri i përgjithshëm i personave të dhunuar seksualisht gjatë luftës së viteve 1998/99 në Kosovë sillet në rreth 20.000.

“Aktualisht, në Njësinë e Hetimit të Krimeve të Luftës janë të caktuara dy hetuese, të cilat hetojnë dhe dokumentojnë rastet e dhunës seksuale/dhunimeve gjatë luftës”, thuhet në një deklaratë me shkrim të Policisë së Kosovës, dhënë Radios Evropa e Lirë.

Aty bëhet e ditur se kjo njësi është e centralizuar, që do të thotë se mbulon të gjitha rajonet e Kosovës, por detaje të tjera nuk jepen.

Në Ministrinë e Drejtësisë thonë se Kosova, aktualisht, “nuk ka kapacitete të mjaftueshme për adresimin e krimeve të luftës brenda sistemit të drejtësisë”, por zotohen se prioritet i tyre mbetet “shtimi i këtyre kapaciteteve”.

“Numri i hetuesve policorë, por edhe i prokurorëve dhe gjykatësve për hetimin dhe adresimin e rasteve, të cilat cilësohen si krime të luftës apo krime ndaj popullatës civile, është i pamjaftueshëm”, thotë MD-ja në një deklaratë për REL-in.

Në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës kanë në proces mbi 1.250 raste të krimeve të luftës, përfshirë 50 raste të dhunës seksuale.

Nga ky institucion thonë se trajtimi i lëndëve bëhet “me përkushtim”, por zvarritjet në trajtimin e rasteve, sipas tyre, lidhen me mbledhjen e ngadalshme të dëshmive nga policia hetuese në terren.

Tahiri-Sulimani: Për gati tre vjet, asnjë informacion nga drejtësia

Shyhrete Tahiri-Sulimani, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka ngritur kallëzim penal për rastin e saj qysh në tetor të vitit 2019.

Edhe pse kanë kaluar gati tre vjet nga ajo kohë, Tahiri-Sulimani thotë se nuk ka asnjë informacion nga sistemi i drejtësisë.

“Asnjë gjë nuk ka ndryshuar, njëjtë… Por, e kam ndërmend që aty ku jetoj, në Perëndim, ta paraqes rastin”, thotë Tahiri-Sulimani për REL-in.

Ajo është gruaja e dytë në Kosovë, pas Vasfije Krasniqit, që ka folur publikisht për përjetimet e dhunës seksuale në luftë.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila shpesh është bërë zë i këtyre viktimave, thotë se është e domosdoshme që të rritet numri i stafit si tek organet e rendit, ashtu edhe tek ato të drejtësisë, që merren me këto raste.


“Nuk e di se si janë të rregulluara çështjet brenda sistemit në polici, por, në aspektin e përgjithshëm, mendoj se dy zyrtarë [policorë] janë nën minimumin e së nevojshmes për adresimin e këtyre rasteve”, thotë Jahjaga për Radion Evropa e Lirë.

“Jemi 23 vjet nga përfundimi i luftës, 14 vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe Kosova është dashur të ketë kapacitete shumë më të mëdha sa i përket adresimit të krimeve të luftës, por veçanërisht të dhunës seksuale, që është përdorur si mjet lufte nga forcat serbe në Kosovë”, thotë ajo.

Vetëm një i dënuar për dhunë seksuale në luftë

Mbi dy dekada pas luftës, autoritetet në Kosovë kanë dënuar vetëm një person për kryerje të dhunës seksuale në luftë.

Ish-rezervisti i policisë serbe, Zoran Vukotiq, është dënuar në korrik të vitit 2021 me dhjetë vjet burgim.

Me hetimin e rasteve të dhunës seksuale në luftë është marrë fillimisht Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, i cili, në vitin 2018, kompetencat i ka dorëzuar tek institucionet vendore.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ky mision thotë se, në total, “ka trajtuar 25 raste të dhunimeve si krime të luftës”.

“Disa prej këtyre rasteve janë duke u hetuar ende, disa janë pushuar, kurse disa janë dërguar për gjykim”, thotë EULEX-i.

Në vitin 2014, Kosova ka miratuar një ligj për t’iu njohur statusin e viktimës së dhunës seksuale të luftës personave të përdhunuar.

Komisioni qeveritar që punon në këtë drejtim, ka nisur punën në vitin 2018, dhe që nga ajo kohë, më shumë se 1.000 persona kanë arritur ta sigurojnë këtë status – marrë parasysh se ata duhet të sigurojnë një numër provash që dëshmojnë se kanë qenë viktima të përdhunimit në luftë.

Linda Sada udhëheq organizatën joqeveritare “Medica Gjakova”, përmes së cilës, viktimat e dhunës seksuale mund të aplikojnë për njohje të statusit të tyre.

Sada thotë se organizata e saj është në kontakt të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës për rastet e viktimave të përdhunimit dhe shton se “është e pakuptimtë” që vetëm dy policë të merren me hetime.

“Absolutisht nuk ka kuptim. Edhe numri i prokurorëve, edhe i policëve është shumë i vogël”, thotë ajo.

Me krimet e kohës së luftës në Kosovë, aktualisht, merren katër prokurorë.

Nga Ministria e Drejtësisë thonë se kanë ndarë buxhet për shtimin e kapaciteteve me prokurorë dhe shprehin bindjen se ata do të mund të bëjnë më shumë në “sjelljen e drejtësisë për viktimat e krimeve të luftës”.

Deri atëherë, efektet e vazhdueshme të dhunës seksuale, por edhe të krimeve të tjera do të vazhdojnë të mbeten plagë edhe më të hapura për viktimat./REL

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit