-sidi education-spot_img
10.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Përplasja mes Hysenbelliut dhe Doganave, Gazheli: Sulmi është personal, në mes Birra Tirana

Kryesoret

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave i është përgjigjur sërish biznesmenit Irfan Hysenbelliut pas disa materialeve të publikuara në mediat “Focus Group”. 

Drejtori Genti Gazheli, tregon se sulmi ka ardhur pas një gjobe prej 23 715 310 të vendosura ndaj Birra Tirana për evazion fiskal. 

Gazheli nënvizon se gjendet nën shantazh për të anuluar vendimin e tij. Për këtë ai tregon se do t’i drejtohet trupit diplomatik dhe organizatave mediatike. 

“U kam thënë paralajmëruesve se zoti Irfan ka punën e tij dhe unë kam detyrën time, prandaj pushka top sepse nëse ai mediat i paska pushkë, unë detyrën shtetërore e kam luftë kundër evazionit fiskal dhe evazorëve si Irfan Hysenbelliu. Nuk është aspak çudi që si një burracak i vërtetë, që gjuan me pushkët e tij për llogari të bizneseve të veta, Irfan Hysenbelliu nuk i publikon ato që them unë për këtë rast, po nxjerr vetëm ato që thonë të urdhëruarit prej tij”, shkruan Gazheli. 

Ditën e djeshme lidhur me këtë ngjarje reagoi edhe kryeministri Rama, i cili shprehte habi se si mediat nuk publikonin deklaratat e drejtorit të doganave. Po kështu, reaguan edhe mediat e Hysenbelliut, që pretendojnë se kryeministri po merr Gazhelin nën mbrojtje politike.

Postimi i Gent Gazhelit: 

Grupi mediatik i pronarit Irfan Hysenbelliu, njëkohësisht edhe sipërmarrës i kompanisë “Birra Tirana”, ndëshkuar së fundmi me 23 715 310 ( njëzet e tre milon e shtatëqind e pesëmbëdhjetë mijë e treqind e dhjetë lekë) gjobë nga Dogana Shqiptare vazhdon shantazhin mediatik në adresën time. Ndërkohë pas autoriteteve shtetërore unë po vijoj informimin e partnerëve ndërkombëtarë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Po ashtu do të informoj edhe shoqatat e medias brenda dhe jashtë vendit për këtë shantazh ndaj meje personalisht, i cili është i tillë dhe s’ka lidhje me misionin e informimit të publikut sepse:

1. Kjo akuzë është ngritur disa herë qysh prej vitit 2016 dhe faktikisht punonjësit e vënë në shënjestër nga organizata e Irfan Hysenbelliut nuk kanë asnjë dënim në Greqi. Përkundrazi, kanë dëshmi të pastër penaliteti nga autoritetet greke, sikundër është bërë publike më parë.

2. Unë i kam gjetur në administratën doganore këta punonjës dhe as i kam sjellë nga shtëpia, as i kam promovuar për shkak të ndonjë lidhjeje të veçantë. Prandaj është shumë e qartë pse sulmohem dhe arsyeja s’ka lidhje as me rastin në fjalë, që daton në një kohë kur unë s’kam qenë fare këtu, as me lidhjen time me ta.

3. Sulmi mbi mua ka lidhje me gjobën ndaj “Birrës Tirana” dhe unë jam paralajmëruar më parë që nuk duhet të hapja luftë me zotin Irfan, sepse “mediat e tij kanë futur nē burg Fullanin dhe kanë fuqi shkatërruese”.

4. U kam thënë paralajmëruesve se zoti Irfan ka punën e tij dhe unë kam detyrën time, prandaj pushka top sepse nëse ai mediat i paska pushkë, unë detyrën shtetërore e kam luftë kundër evazionit fiskal dhe evazorëve si Irfan Hysenbelliu.

5. Nuk është aspak çudi që si një burracak i vërtetë, që gjuan me pushkët e tij për llogari të bizneseve të veta, Irfan Hysenbelliu nuk i publikon ato që them unë për këtë rast, po nxjerr vetëm ato që thonë të urdhëruarit prej tij.

6. Ju lutem mediave të tjera që t’i publikojnë natyrisht duke publikuar edhe versionit e ulët të zotit Irfan! Sepse publiku duhet t’i dëgjojë të dyja këmbanat dhe pastaj të gjykojë vetë.

7. Doganat Shqiptare do të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre, të thellojnë arritjet dhe të adresojnë boshllëqe dhe të meta që nuk mungojnë. Kush shkel apo ka shkelur ligjin do te vazhdojë të largohet nga puna. Por shkelja e ligjit dhe kalloja e shkelur e zotit Irfan jo vetëm nuk janë e njëjta gjë, po janë arsyeja pse unë jam me ligjin dhe Fania i famshëm është me kallon!

Reagimi i News 24 një ditë më parë: 

“Prej 2 ditësh News24 dhe BalkanWeb po publikojnë disa dokumente që implikojnë Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave Genti Gazheli në emërime të personave me precedentë penalë në sektorë kyçë të doganave.

Kemi publikuar dokumente autentikë të vendimeve të gjykatave greke për drejtorin e hetimit në Drejtorinë e doganave Artur Sejati, si dhe për 3 zyrtarë të tjerë të lartë të cilët janë arrestuar në flagrancë në Greqi dhe më pas janë gjykuar nga gjykatat greke për vjedhje, grabitje, kontrabandë dhe grup i strukturuar kriminal.

News24 ka botuar vetëm vendimet e gjykatave greke. Cfarë ka me interes publik në këtë çështje është fakti që këta persona janë promovuar në poste të larta me urdhër të drejtorit të përgjithshëm, dokumente që News24 i ka bërë publike.

News24, duke përmbushur standardet më të larta profesionale, në interes të publikut shqiptar, është i hapur dhe ka pritur qëndrimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave mbi këto fakte e dokumente që ka publikuar. Por ai ka zgjedhur që të merret me çështje të tjera që nuk kanë lidhje me faktet dhe dokumentet që i interesojnë opinionit publik.

Sot qëndrimit të zotit gazheli i cili nuk reagonte mbi faktet dhe dokumentet e News24, i është bashkuar në një mbrojtje politike edhe kryeministri Rama duke aluduar për presion mediatik.

Nuk është hera e parë që ne si media vendosemi në këtë lloj presioni nga politika, kur botojmë fakte dhe dokumente në interes të opinionit publik. Ndërsa kryeministri aludon për presion mediatik, ai nuk sqaron se përse drejtori i tij i Doganave nuk kthen përgjigje mbi faktet dhe dokumentet që në kemi publikuar. Ky është presion i drejtpërdrejtë ndaj medias për të mos publikuar fakte dhe jo e kundërta siç aludon kryeministri.

Nëse Drejtori i Doganave ka një përgjigje për vartësit e tij të promovuar në detyra të larta, në kushtet kur për ta ka vendime penale nga gjykatat greke, nuk ka nevojë për mbrojtjen politike që i bën kryeministri.

News24 do të vazhdojë të botojë fakte dhe dokumente mbi evazionin dhe shkeljet në Doganat Shqiptare, ku perceptimi për korrupsion është shumë i lartë. Por ne nuk do merremi me perceptime, por me publikim të fakteve dhe dokumenteve të reja.

Të rendisësh fakte zyrtare aq më tepër nga një shtet i BE, nuk do të thotë të shpifësh dhe as të bësh presion. E kundërta është e vërtetë; të ngresh konceptin e një presioni dhe të njohësh si shpifje vërtetësinë e fakteve”, thuhet në reagimin e News24 dhe Balkanweb. 

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit