Zjarret e mëdha po përfshijnë veriun, jugun dhe lindjen e Greqisë të dielën, ndërsa një valë përvëluese e të nxehtit ka mbërthyer vendin.
Qindra banorë dhe turistë janë evakuuar nga ishulli lindor i Egjeut, Lesbos, pas zjarreve pyjore, të cilat shpërthyen dje, duke shkatërruar shtëpi dhe duke kërcënuar fshatrat.
Greqia aktualisht është nën një vale të nxehti me temperatura 42 gradë Celsius në disa rajone. Moti ekstrem parashikohet të zgjasë 10 ditë, duke shtuar frikën për zjarre të tjera.
Në veri të vendit, zjarrfikësit dhe vullnetarët po luftojnë për të katërtën ditë radhazi një zjarr të ashpër në Parkun Kombëtar Dadia, një rezervat natyror i mbrojtur, i njohur për koloninë e tij të shkabave.
Ky zjarr detyroi evakuimin e fshatit Dadia mbrëmjen e së shtunës, ndërsa banorët e Chrysokelari në Peloponez u detyruan të largoheshin nga flakët pranë Koronit.
Në ishullin Lesbos, zjarri i nisur në pyjet malore në perëndim të ishullit është përhapur në dy fronte. Njëra drejt fshatit Vrisë, tjetra drejt plazhit të Vaterës, ku janë dëmtuar të paktën katër banesa.
Erërat e forta në zonë po vështirësojnë shërbimet e urgjencës për shuarjen e flakëve.
81 zjarrfikës me 19 automjete, 5 grupe civile, 9 avionë dhe 1 helikopter kanë tentuar të shuajnë flakët të shtunën. Një zjarrfikës u plagos, sipas guvernatorit rajonal Kostas Moutzouris.
Me këshillën e shërbimeve të urgjencës, Verros urdhëroi evakuimin e qytetit turistik të zhurmshëm të Vaterës si masë paraprake. Një mesazh evakuimi u lëshua nga Shërbimi i Komunikimit të Emergjencave të Greqisë 112 për ata në zonë.
Qindra njerëz, përfshirë shumë turistë, janë evakuuar nga ishulli, me disa autobusë dhe varka të vogla që morën pjesë në operacion
Një zjarr në malet afër Athinës në fillim të kësaj jave dëmtoi shtëpitë dhe detyroi disa qindra njerëz të largoheshin, me autoritetet që e quajtën këtë verë si një nga më të vështirat në Mesdhe.
Vitin e kaluar, zjarret shkatërruan rreth 300,000 hektarë pyje dhe shkurre në të gjithë Greqinë gjatë valës më të keqe të të nxehtit në vend në 30 vjet.
Ngjarjet ekstreme të motit, si zjarret në pyje dhe valët e të nxehtit, po bëhen më të shpeshta dhe intensive për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit.
Ekspertët kanë paralajmëruar se këto tendenca do të vazhdojnë të përkeqësohen dhe të bëhen më të rënda nëse njerëzit dhe qeveritë në mbarë botën nuk bëjnë shkurtime të konsiderueshme në emetimet e tyre të gazeve serrë.