Ish-presidenti Ilir Meta ka treguar se nga ka ardhur frymëzimi për të ndryshimin e emrit të partisë nga LSI në Partia e Lirisë.
Meta u shpreh në News 24 se mesazhi erdhi nga populli i 2 Marsit për sovranitetin dhe daljen zot të çdo qytetari shqiptar.
“Përgjegjësia ime do të jetë për të organizuar brenda dy muajsh konventën përmbyllëse të një procesi transformues të ish-LSI. Mendoj se LSI e përfundoi misionin e saj. Këtu është kërcënuar liria. Kryeministri u thotë qytetarëve se ne e dimë se çfarë mendoni.
Nuk po flasim për çështje të tjera. Lirinë e konkurrencës, përndjekjen politike selektive që ndodh çdo ditë. Gjobat që i vihen qytetarëve që mbahen peng. Këtu është synuar të instalohet frika dhe të nëpëkëmben interesat më të rëndësishme kombëtare dhe sovrane. Frymëzimi nga kjo ka ardhur, nga populli i 2 marsit.
Kjo forcë e re, përfshirë LSI e deritanishme janë të frymëzuar nga mesazhi i 2 marsit, sovranitetin dhe daljen zot të çdo qytetari shqiptar”, tha Meta.