Java nisi me një lajm të vrullshëm, lëvizjet e forta në qeveri që prekën numrin dy, Arben Ahmetajn. Reagimet në rrjet kanë qenë të shumta, por shumica prej tyre piqen duke e lidhur me një pikë; inceneratorët, ndryshe nga sa ishte motivi që deklaroi Edi Rama.
Pak pas njoftimit mbi lëvizjet ka ardhur edhe një postim nga deputeti socialist Erion Braçe, ish-zv/ kryeministër përpara se në vendin e tij të shkonte Ahmetaj që tani i la vendin Belinda Ballukut.
“Rreth e rreth perqark, globi rrotullohet; dite me dite, rrotullohet” shkruan ai. Një mesazh i koduar që referuar situatës vështirë të mos lidhet me lëvizjet në qeveri. Gjithsesi gjithçka është interpretim.
E ndërsa Braçe është më enigmatik, Petrit Vasili është i drejtpërdrejtë. Ai ka një parashikim të keq për Arben Ahmetajn.
“Ahmetaj ka mbajtur edhe postin e ministrit të Rindërtimit, madje në një kohë mbulonte edhe probleme të pandemisë, sa i takon mbështetjes logjistike.
Ai tha se ne e kemi përballuar pandeminë 10 herë më mirë se Gjermania. Po tani si iku si kryeministër?! Në Partinë e Punës, para se t’i pushkatonin nganjëherë i dekoronin. Nuk besoj se ikën për inceneratorët, pasi i pari këtu është Veliaj dhe duhet të ikte i pari.
Nëse Ahmetaj përmbushi me sukses rindërtimin, po pse nuk dha dorëheqjen Rama dhe të zëvendësonte ky? Edi Rama nuk njihet për ndonjë sukses” tha ai.