“Dinjiteti nuk bie nga qielli. Ai nuk mund të blihet dhe as të shpiket. Dinjiteti është shpërblim i rezervuar për ata që punojnë me ndërgjegje – Bill Hajdells*
Në jetën e përditshme na takon shpesh të dëgjojmë të flitet për njerëz me dinjitet, të dinjitetshëm, dinjitarë etj. dhe po kaq shpesh për individë pa dinjitet. Dinjiteti është një tërësi vlerash morale tek njeriu dhe, në mënyrë të veçantë, vetëdija që ka individi për këto vlera, vetëdije që manifestohet në sjelljet dhe qëndrimet e njeriut ndaj të vërtetës, të drejtës dhe të moralshmes. Në historinë e njerëzimit ka pasur prirje për ta matur dinjitetin e individit në raport me pasurinë apo pozitën e tij në shoqëri, por koha ka provuar se dinjiteti është një pasuri morale individuale që nuk varet nga dy kategoritë e mësipërme.
Ashtu si karakteri dhe personaliteti që i hedhin rrënjët tek njeriu qysh në moshë të re, edhe dinjiteti si formë e shfaqjes së tyre fillon të manifestohet mjaft herët dhe e shoqëron njeriun gjatë gjithë jetës. Përgjithësisht dinjiteti i individit përcaktohet nga sjelljet dhe qëndrimet që mban ai kundrejt individëve të tjerë, familjes dhe shoqërisë në tërësi, dhe nga shkalla e përputhjes së këtyre sjelljeve e qëndrimeve me kodin moral të shoqërisë. Në Shqipëri dhe jashtë saj kemi parë dhe mund të gjejmë me mijëra individë “të famshëm”, të pasur apo politikisht të pushtetshëm të cilët sillen e veprojnë pa kurrfarë dinjiteti.
Ish-Presidenti dhe ish-Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha thoshte para një viti se “Çështja e dinjitetit është çështja më thelbësore e njeriut. Në qoftë se i prek tjetrit nderin dhe dinjitetin, ti e zhvlerëson atë për veten e tij, familjen e tij, miqtë dhe komunitetin ku jeton… Para dyzet vitesh nuk kishte dinjitet si njeri. Kjo ka qenë shtysa ime që kam dalë kundër regjimit. Nuk jetoja keq, por nuk kisha të drejtën e mendimit të lirë prandaj vendosa të luftoj për dinjitetin tim…”.
Kush i lexon këto fjalë dhe nuk e njeh autorin e tyre beson se kemi të bëjmë me një luftëtar të së drejtës, moralit dhe të së vërtetës, por ata që e njohin pohuesin e këtyre fjalëve nga veprat e tij të këtyre 32 viteve, e kanë të qartë se kemi të bëjmë me një sharlatan politik të pashoq që, me shpresë se po ua hedh të gjithëve, rreket të bëjë edhe rrufjanin. E drejta dhe liria e shprehjes së mendimeve është mjaft e rëndësishme, por nuk është kushti i vetëm dhe as më i rëndësishmi për ekzistencën dhe ruajtjen e dinjitetit. Të drejtën e fjalës (lehjes) e kanë edhe qentë por kjo s’do të thotë se jetojnë me dinjitet. Dinjitetin e nxjerrin në pah edhe fjalët dhe mendimet që shpreh njeriu, por janë cilësitë, vlerat moral të fjalëve dhe mendimeve që përcaktojnë dinjitetin e njeriut ose mungesën e tij tek individi.
Vlera dhe morali i atyre që ka thënë dhe, sidomos, që ka bërë Sali Berisha prej tridhjetë vjetësh janë të tilla që ia zhvlerësojnë tërësisht dinjitetin si qytetar dhe si figurë politike. Nga postet që ka mbajtur e mban, dhe ato që synon ende, ai bën pjesë në shpurën e dinjitarëve, domethënë të personave publikë dhe politikë me peshë të lartë por, mjerisht, me moral dhe dinjitet të ulët. Gjithë jeta e tij publike pas vitit 1990 ka qenë shpërfaqje e dendur dhe e pashoqe e veseve dhe akteve të qindra gënjeshtrave, shpifjeve, fyerjeve e kanosjeve të cilitdo që ka pasur përballë, ose në krah, dhe që e ka menduar si rrezik për pushtetin e tij individual. Ai mbetet dhunuesi më i madh i nderit të kundërshtarëve dhe s’është matur kurrë se po cenon dinjitetin e të tjerëve që tani, siç e cituam, na thotë se “është çështja më thelbësore e njeriut”. Gjithë veprimtaria e tij praktike ka qenë dëshmi spektakolare e hipokrizisë së tij teorike dhe përgënjeshtrim absolut i pretendimeve të tij morale e politike.
Sali Berisha u kujtua për dinjitetin dhe vlerat e tij vetëm kur qeveria e SHBA e shpalli persona non-grata dhe e damkosi si minues të demokracisë dhe si baba të korrupsionit shtetëror. Po ata qindra, në mos mijëra individë, politikë ose jo, që Sali Berisha i ka marrë nëpër gojë prej tri dekadash, i ka fyer, nëpërkëmbur, rrahur, kërcënuar, burgosur e vrarë a kanë dinjitet dhe a duhej respektuar dinjiteti i tyre? Papa Françesku thotë se “Dinjiteti njerëzor është i njëjtë për të gjitha qeniet njerëzore. Nëse unë shkel dinjitetin e dikujt, unë shkel kështu edhe dinjitetin tim”.
A mund të ketë dinjitet një njeri që gënjen e mashtron pa u skuqur, një njeri që është dënuar disa herë nga gjykatat shqiptare për shpifje, që s’ka lënë gjë pa thënë për kundërshtarët politikë dhe bashkëpunëtorët e tij në parti e qeverisje dhe pastaj, kur ia kanë dashur nevojat e pushtetit, i ka “rehabilituar” duke i bërë ministra e zëvendëskryeministra apo ka pohuar se “ato që kam thënë atëherë ishin për qëllime elektorale”?! Në mitingun e 7 korrikut 2022 Saliu pohoi: “Edi Rama, jemi sot këtu për t’u betuar përpara flamurit se votën kurrë nuk ta falim… jemi të vendosur të bëjmë çdo sakrificë që burrat dhe gratë, djemtë e vajzat e Shqipërisë të votojnë me dinjitet dhe të lirë… Ti, këto vite je treguar armik i fjalës së lirë… Në emrin tuaj, do t’i them Ramës këto fjalë: Rama, ne të dy sot jemi armiq sepse ti ke për ideal pushtetin, kurse unë me këta burra e gra kemi për ideal lirinë dhe vetëm lirinë”.
Çfarë dinjiteti ka një individ i cili pretendon se ai dhe partia e tij “kanë sjellë pluralizmin” (çfarë ironie!) dhe konkurrencën politike për pushtet nëpërmjet votimit të lirë dhe, nga ana tjetër dikur tentoi (dhe e realizoi përkohësisht) marrjen e pushtetit me dhunë në shtator 1998, ndërsa sot e shpall kundërshtarin politik “armik”?! Çfarë dinjiteti ka një individ, dhe ata që i shkojnë mbrapa, i cili është damkosur në 1996, 2009 dhe 2011 nga populli shqiptar dhe bashkësia ndërkombëtare si dhunues e falsifikues votimesh, ndërsa sot thotë se betohet përpara flamurit (oh, çfarë përdhosje morale e kombëtare!) se do të luftojë për votën e lirë dhe dinjitetin e votuesve?! Si mund të quaj kundërshtarin “armik i fjalës së lirë” dikush që kur ishte në pushtet rrahu për vdekje gazetarin Edi Rama, rrahu dhe burgosi gazetarë dhe pikërisht pse dhunoi fjalën e lirë u shpall “armik i shtypit” nga organizatat ndërkombëtare?!Ku e ka dinjitetin qytetari dhe politikani Sali Berisha, i cili i thotë kundërshtarit politik, njëzet vjet më i ri se ai vetë, se ka për ideal pushtetin, ndërsa vetë Berisha dhe tufa që e ndjek prej tridhjetë vitesh, paska ideal “lirinë dhe vetëm lirinë”, e, megjithatë, edhe sot në moshën 80 vjeçare, pas 54 vjet në politikë, 22 si “komunist” dhe 32 si antikomunist, kërkon sërish pushtet dhe sundim duke synuar të na bëjë të harrojmë të paharrueshmen, se është i vetmi politikan i këtyre 32 viteve që ka rrahur, burgosur dhe vrarë kundërshtarët politikë dhe është betuar se do ta bëjë përsëri këtë gjë?! Pse, çfarë janë idealet, xhaketa që kur vjetrohen mund të kthehen në të kundërtën e tyre? Propagandimi dhe shitja e etjes për pushtet dhe privilegje si luftë idealiste mund të japë rezultat në arritjen e qëllimeve si sundimtar, por jo në regjistrin e historisë si njeri me dinjitet.
Kjo do të thotë të këmbesh dinjitetin me popullaritetin e përkohshëm. Dinjiteti është si virgjëria. Ose e ke, ose nuk e ke dhe po e pate humbur s’e fiton më, ndërsa popullariteti është më së shumti pjellë e rrethanave dhe e mashtrimit dhe kur zhduken rrethanat dhe kthjellohet “moti” popullariteti rezulton një flluskë sapuni.
Disa njerëz publikë shprehën çudi pse në mitingun e thirrur nga Berisha në 7 korrik kishte jo pak njerëz. Nuk mendoj se kjo çudi buron nga arsyeja. Unë mendoj se duhej të kishte pasur shumë më tepër. Sikur Partia Demokratike, bashkëthemelues dhe drejtues i të cilës është Sali Berisha, do të kishte qenë parti idealesh dhe idealistësh, në Shqipëri nuk do të kishin ndodhur shumica e atyre marrëzive, padrejtësive dhe mynxyrave që kanë ndodhur gjatë dhe për shkak të sundimit të saj, apo prej saj. Po të kishte qenë në shumicë organizatë politike idealiste nuk do ta kishte lejuar drejtuesin e saj të sillej siç është sjellë dhe të bënte çfarë ka bërë dhe, rrjedhimisht, nuk do të ishte larguar dy herë nga pushteti në mënyrë poshtëruese dhe, aq më pak do ta kishte sot drejtuesin e vet të shpallur non-grata nga SHBA-ja dhe të papërfillur nga Evropa Perëndimore.
Duke qenë, në shumicën dërmuese, grumbullim njerëzish të pakënaqur (me të drejtë), arrivistësh qejfmbetur dhe karrieristësh të paskrupullt, gjahtarë postesh e përfitimesh materiale, kjo tufë pa identitet të spikatur dhe me dinjitet të gjymtuar, ka qenë thjesht një ushtri individësh që, ashtu si në Lashtësi dhe Mesjetë, e ndjek mbrapa “komandantin” e vet në çfarëdo aventure apo theqafjeje me shpresën për të ndarë “plaçkën e luftës”.
Kur “komandanti” fyente, kërcënonte apo shpifte ndaj të tjerëve, tufa zgërdhihej; kur “komandanti” rrihte apo burgoste kundërshtarët politikë, tufa bënte avokatinë mediatike apo mitingashin nëpër sheshe; kur “komandanti” organizonte marrjen e pushtetit me dhunë, tufa kënaqej sepse shpresonte në vazhdimin e përfitimeve; kur “komandanti” vendoste gjendjen e jashtëzakonshme dhe organizonte konfliktin veri-jug për të zgjatur pushtetin, tufa e frymëzonte, e rizgjidhte “komandant” dhe e duartrokiste; kur “komandanti” përjashtonte nga partia bashkëpunëtorët më të afërt apo organizonte pritat e dhunshme kundër tyre, tufa ekzaltohej, iu skërmitej “disidentëve” dhe votonte unanimisht zbatimin e urdhrit komandues; kur “komandanti” urdhëronte rrahjen, burgosjen apo vrasjen e kundërshtarëve politikë e mediatikë, tufa e ndiqte pas me entuziazëm, brohoritje dhe aprovim dhe, nëse “gabimisht” ndodhte që komandanti harronte të urdhëronte vrasjen e kundërshtarit, atëherë tufa topalliste e akuzonte se “ka faj që nuk iu dha plumbin”.
Kjo tufë politike pa din e iman meriton gjithë “respektin” tonë për besnikërinë ndaj “Babës” por duhet të meritojë edhe gjithë neverinë dhe refuzimin tonë për t’u votuar për pushtet. Pushteti i sotëm në Shqipëri nuk është ai që iu nevojitet shqiptarëve edhe për shkak të korrupsionit. Do të dëshiroja largimin e këtij pushteti sa më parë, por kurrsesi zëvendësimin me një tufë “non-gratash” dhe, kryesisht, figura pa dinjitet. Sikur të fyerit, nëpërkëmburit dhe përjashtuarit nga partia prej “Babës”, apo të vetëlarguarit për “shkaqe parimore”, të kishin pasur dinjitet, nuk do të ishin kthyer sërish në stanin politik PD pasi “komandanti” i kishte shumëfishuar kryqëzatat ndaj kundërshtarëve dhe ekspeditat ndëshkuese kundër parimeve të propaganduara dhe ligjeve të miratuara.
Në këto kushte, kjo tufë përrallëtarësh politikë dhe mëkatarësh pa dinjitet nuk ka rrugë tjetër veçse të ndjekë komandantin e vet. Duke e ditur shkallën e lartë të vetëdiskreditimit dhe zhvlerësimit, ata përpiqen të na “alarmojnë” me parullën “Shqipëria në Rrezik!” dhe të shpallin Frontin e Shpëtimit Kombëtar, megjithëse janë përfaqësuesit dhe autorët e Rrënimit Kombëtar. Ata jo vetëm s’kanë ideale por as mendime, sepse mendimi i arsyetuar që të çon tek vendimi është diçka e tepërt dhe e panevojshme për aq kohë sa mund të imitojnë dhe përsërisin ato që thotë dhe bën Ati i tyre moral e shpirtëror. Një nga këta laskarë që merret me organizim mitingjesh, duke imituar idhullin e vet, na thotë se “Në rrugë doli qytetaria e Tiranës… Shqipëria është në rrezik dhe duhet të bashkohemi për shpëtim dhe çlirim nga armiku”. Kështu thoshin bashkëpunëtorët e pushtuesve nazifashistë në vitet ’40 dhe dihet fundi i tyre. Identifikimin e një turme partiake 10-15 mijë vetash me gjithë popullin shqiptar, apo vetëm të kryeqytetit, e bënte para disa kohësh edhe Presidenti që fliste për “popullin e 2 marsit”, por kur erdhi koha e kutive të votimit u nda me 4%.
Mungesa e dinjitetit nuk është karakteristike vetëm për tufën e Non-Gratas, por edhe për shumë militantë e figura të pushtetit si dhe “shoqërinë civile”. Një akademik me emrin Apollon Baçe na thoshte para mitingut se “Dita e nesërme (7 korrik) do të jetë dita që ne do të gjejmë dinjitetin tonë si njerëz të lirë…”. Ky tetëdhjetëvjeçar ka pritur deri tani të fitojë dinjitetin, ashtu si idhulli i tij Sali Berisha që pohonte se deri në moshën 47 vjeç (në 1990) kishte jetuar pa dinjitet. Dhe, çfarë është më domethënëse, ky akademik që s’e ka ngritur kurrë zërin kur në Shqipëri dhunoheshin procese zgjedhore e gazetarë, burgoseshin e vriteshin kundërshtarë politikë, na thotë se dinjitetin do t’ia japin një tufë batakçinjsh, hajnash, abuzuesish dhe, madje, kriminelësh që ndodheshin në tribunën e Shpëtimit Kombëtar, të gjithë me grupin e gjakut non- grata. Po të ishte dinjiteti njerëzor si ora e xhepit shumëkush do ta kishte fituar dhe rifituar, por siç thotë një thënie e vjetër “Buka e thyer nuk ngjitet më”.
* William Hydells – Pastor dhe shkrimtar amerikan.