Partia Socialiste është vendosur në lëvizje pas letrës së Autoritetit të Dosjeve, që e informonte se ish-presidenti Ilir Meta kishte rezultuar ish-sigurims. Deputetja dhe njëkohësisht kryetare e komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka tha se PS ka depozituar dy projektligje për të riverifikuar të gjithë ata që më parë kanë marrë certifikatën e pastërtisë.
“PS depozitoi dy nisma ligjore për ligjin për të drejtën e informimit për dokumentet e sigurimit. Rastet flagrante dhe shqetësuese në shkresën e autoritetit, ku figura të rëndësishme të shtetit kërkojnë një reagim të menjëhershëm.
Transparenca duhet të kryhet dhe të adresohet për të zbardhur të vërtetën. Dy nismat konsistojnë për shtratin ligjor për verifikimin e subjekteve nëse kanë certifikatë të mëparshme dhe për të verifikuar subjektet që zgjidhen apo emërohen. Bashkëpunëtorët e mëparshëm të mos kenë mundësi të jenë në poste” tha ajo.
Sali Berisha reagoi duke e cilësuar letrën e Autoritetit trillim dhe në skemë futi shërbimin informativ. Ai tha se I.M. nuk është Ilir Rexhep Metaj, pra ish-presidenti, por Ilir Murati nga Librazhdi. “Pas verifikimit të dokumenteve unë deklarova dy ditë më parë se gjithçka është një trillim i Edi Ramës dhe i turpshëm i një njeriu në panik pa asnjë moral.
Dje pasdite dhe sot, unë kam dokumente në dorë, nuk ka akt më të shëmtuar. Edi Rama me shërbimin informativ, që e ka organizuar, e ka bërë në mënyrën më të trashë këtë kurth, e ka stisur në mënyrë më të trashë. I.M. është Ilir Murati nga Librazhdi dhe Filip Tale është nga Librazhdi dhe nuk asnjë lidhje me Ilir Rexhep Metën” tha ai.