Prokuroria e Lezhës ka marrë kampione ADN-je nga ish-efektivi i RENEA, Remal Rada dhe Elton Hithi. Të dy u arrestuan nga operacioni ‘Double Strike’ disa ditë më parë pasi iu gjet një snajper në makinë e më pas një arsenal armësh.
ADN-ja e tyre është marrë në zbatim të njq vendimi të Gjykatës së Lezhës, për llogari të hetimit të ekzekutimit me snjaper të Kastriot Reçit, janarin e vitit 2020 në qendër të Rrëshenit.
Sipas burimeve, profili gjenetik i Radës e Hithit do të krahasohet me ADN të gjetur në snajperin dhe rroba të autorit të ngjarjes, ende i paidentifikuar.
Mostrat e ADN-së Radës e Hithit iu janë marrë në ambientet e burgut 313 në Tiranë ku ata po qëndrojnë në masën e sigurisë ‘arrest në burg’. Pas arrestimit, Rada e Hithi, refuzuan të jepnin mostra ADN-e, ndërkohë që armet e gjetura në dy banesa të Radës janë dërguar për ekspertim, për të verifikuar nëse rezultojnë të jenë përdorur në ngjarje kriminale.
Gjykata e Tiranës ka vendosur masën arrest me burg për Remal Radën dhe Elton Hithin, të arrestuar pasi u kapën me snajper në mjetin e tyre luksoz dhe më pas u gjetën armë të tjera. Organi i akuzës ka kërkuar mostra për të bërë analiza ADN, por kjo nuk është pranuar nga të dyshuarit. Ndaj tyre rëndojnë akuzat e armëmbajtjes pa leje dhe mbajtje pa të drejtë të uniformave të policisë.