Kastriot Reçi, i njohur ndryshe me pseudonimin “Mirdita” u ekzekutua në 7 janar të 2019 në qendër të Rrëshenit në lokalin tij.
Vrasja e tij hapi një seri të tërë ekzekutimesh në veri të Shqipërisë. Edhe pse Reçi nuk ishte i skeduar nga policia, ai njihej për trafikimin e drogës.
Kanë kaluar më shumë se 2 vite nga ngjarja dhe ende nuk ka një të arrestuar për vrasjen e tij. Pak kohë më parë policia arrestoi në afërsi të Saukut dy persona, një ish-efektiv të RENEA-s, Remal Radën dhe shokun e tij Elton Hithin. Në makinën e tyre u gjendën armë, targa makine dhe dylbi, të cilat dyshohen se do të përdoreshin në një vrasje.
Së fundmi policia ka marrë ADN e këtyre dy personave për ta verifikuar me atë që u gjend në snajperin e vrasjes së Reçit.
Por çfarë i lidh këta dy persona me ngjarjen?
Ajo që policia ka konstatuar se arma që u vra Reçi ishte e të njëjtit lloj me atë që u gjend në makinën e Radës. Pas vrasjes së tij policia gjeti një snajper me dylbi dhe të njëjtën armë e konstatoi dhe në makinën e ish-efektivit.