Shtyrja e moshës për martesë, synimet për karrierë dhe në shumë raste pamundësitë ekonomike po bëjnë që gratë shqiptare të lindin gjithnjë e më pak fëmijë.
Kjo tendence po pasqyrohet qartë në rënien vit pas viti të indeksit Sintetik të Fekonditetit (ISF), i cili tregon numrin mesatar të fëmijëve që pritet të lindë një grua në moshë riprodhuese.
INSTAT raportoi se indeksi sintetik i fekonditetit ra në 1,32 fëmijë për grua më 2021 nga 1,34 fëmijë që ishte ky tregues më 2020 dhe 1,36 që ishte në vitin 2019. Në vitin 2001, sipas INSTAT, ky tregues ishte 2.1, ndërsa në vitet 1970 ishte mbi 5.
Kjo do të thotë se 100 gra pritet të lindin 132 fëmijë nga rreth 210 fëmijë në vitin 2001 dhe 500 fëmijë në vitin 1970.
Me këtë ecuri popullsia e Shqipërisë pëson rënie në mënyrë të pakthyeshme për shkak se tashmë lindshmëria është shumë poshtë normës së zëvendësimit dhe gratë nuk arrijnë të zëvendësojnë vetveten. Kjo do të thotë se në të ardhmen popullsia do të pakësohet, por do të ketë gjithnjë e më pak femra, të cilat janë baza e riprodhimit.
Që një popullsi të mund të frenojë rënien duhet që norma e lindshmërisë të jetë së paku 2.1 fëmijë për grua. Por në Shqipëri përveçse ka rënie lindshmëria, numri i bebeve femra po bie më shpejt.
Koeficienti Bruto i Riprodhimit (KBR) është një treguesi mirë për matjen e rritjes së brezave të ardhshëm. Ai mat normën me të cilën gratë zëvendësojnë veten e tyre gjatë viteve të jetës riprodhuese.
Në vitin 2021, KBR-ja është 0,63 që do të thotë se gratë në Shqipëri janë rreth 37 për qind larg zëvendësimit të vetvetes. Ky tregues ndikohet direkt nga sjellja riprodhuese e grave dhe nga preferenca për të lindur djem.
Numri i lindjeve të vitit 2021 është mbi 27 mijë. Raporti gjinor në lindje është 107.5, që tregon se për çdo 100 vajza të lindura, lindin 107 djem. INSTAT sqaron se ky raport është më i lartë se raporti natyral, i cili është 105. Numri më i ulët e lindjeve dhe preferencat për në rritje për të lindur djem do t përkeqësojë raportet e lindshmërisë në vijim.
Gjatë periudhës 2011-2021 numri i lindjeve është ulur ndjeshëm: nga rreth 34 mijë në 2011, në rreth 27 mijë në 2021, ndërsa numri i vdekjeve në vit ka mbetur midis 20 mijë dhe 22 mijë për periudhën 2011-2019, por ka shënuar rritje në rreth 30 mijë vdekje në 2021, i ndikuar nga efektet e pandemisë Covid-19.
Indeksi sintetik i fekonditetit ka rënë nga viti 2011 kur ishte 1,65 fëmijë për grua, në 1,32 në vitin 2021. ISF mund të reflektohet në numrin e popullsisë në dekadat e ardhshme dhe të ketë ndikim jo vetëm në uljen e saj, por sidomos në faktorë socialë-ekonomikë, me impakte që mund të shfaqen në uljen e fuqisë blerëse, rritjen e normës së varësisë moshore, duke vënë në rrezik skemën e pensioneve, etj.