“Të gjitha opsionet janë të hapura”.
Kjo është përgjigja që shefi politik i Hamasit, Ismail Haniyeh, i ka dhënë Izraelit, pas sulmeve të përgjakshme në Gaza, të cilat kanë lënë të vdekur të paktën dhjetë persona, mes tyre liderin e xhihadit islamik palestinez, Taysir al-Jabari.
Nga ana tjetër, sipas zyrtarëve në Jerusalem, do të varet tërësisht nga Hamasi, nëse do të ketë një luftë të vërtetë mes vendeve apo jo.
Situata në rripin e Gazës është në tensionet më të larta të paktën në vitet e fundit, pas goditjes së fundit izraelite me predha. Mes viktimave, bëhet me dije se është edhe një vajzë 5-vjeçare, duke treguar se nuk do të ketë mëshirë për të arritur qëllimet politike.
Nga Izraeli u deklarua se sulmi ishte ndërmarrë kundër disa eksponentëve të grupimit organizativ nacionalist me bazë palestinezët suni-islamikë, Hamas.
Në fakt, lideri i xhihadit palestinez, Jabari, mbeti realisht i vdekur prej sulmeve dhe ishte i pari i raportuar mediatikisht, në goditjen e ndërmarrë prej Izraelit.
Ai e mbante postin e tij prej nëntorit 2019 dhe ishte ndër figurat kryesore të Hamasit.
Këta të fundit nga ana tjetër, kanë mohuar çdo pretendim izraelit për një sulm të organizuar kundër izraelitëve dhe kanë deklaruar se sulmi ka qenë tërësisht i vullnetshëm dhe i pajustifikueshëm.
Në të njëjtën kohë, Izraeli ka ngritur vendstrehime për bombardimet në zona të caktuara. Gjithashtu, janë thirrur në detyrë 25 mijë rezervistë, në rast të përshkallëzimit të situatës, gjë e cila shihet si shumë e mundshme për momentin.
Sa i përket reagimeve botërore, nga ana e amerikanëve është bërë thirrje për qetësim të situatës, por këto nuk janë dëgjuar nga pala izraelite, e cila e vijon sulmin operativ.
Vetë hapësira ajrore në veri të Izraelit është bllokuar, duke i devijuar kështu fluturimet, për të shmangur çdo tragjedi të mundshme.
Armata luftarake elitë, e njohur si Brigada Golani, si edhe trupat e armatosura izraelite, po zhvendosen në kufirin pranë Gazas.
Prej palës palestineze, nuk ka pasur ende një kundërpërgjigje konkrete.
Ndërsa, për ndërmjetësim, është ofruar pala egjiptiane, e cila ka raporte me të dyja palët.
Por, në binarët e një ofensive që vijon, ende nuk ka përgjigje diplomatike, përpos asaj ushtarake.