Ish-presidenti amerikan, Donald Trump thotë se agjentë të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) kanë “bastisur” shtëpinë e tij në Florida.
Ky kërkim është raportuar të jetë i lidhur me disa hetime nëse Trump zotëron dokumente zyrtare. Kjo ngjarje vjen teksa Trump përgatitet për garën e tretë presidenciale në zgjedhjet e vitit 2024.
Sipas rrjetit amerikan, CBS News, Trump ka qenë në të ashtuquajturën Kulla Trump në qytetin e Nju Jorkut, në kohën kur kanë ndodhur bastisjet.
“Këto janë kohë të errëta për kombin tonë”, deklaroi Trump.
Ai tha FBI-ja s’ka pasur nevojë t’i bastisë shtëpinë, pasi ka bashkëpunuar me të gjitha agjencitë federale. Trump tha se këto veprime janë “sjellje të pahijshme prokuroriale” për ta parandaluar atë që të garojë sërish për president.
“Një sulm i tillë mund të ndodhte vetëm në shtetet e botës së tretë. Fatkeqësisht, Amerika është bërë një prej këtyre shteteve, e korruptuar në nivele që nuk i kemi parë më herët. Ata kanë hapur edhe kasafortën time”, tha Trump.
Eric Trump, djali i Trumpit, ka thënë për kanalin Fox News, se kërkimet e FBI-së kanë qenë të lidhura me Arkivat Shtetërore.
Në muajin shkurt, Arkivat Shtetërore, një agjenci qeveritare në SHBA që menaxhon ruajtjen e dokumenteve presidenciale, i ka kërkuar sistemit të drejtësisë të hetojë Trumpin për mënyrën si i ka menaxhuar dokumentet zyrtare. Arkivat Kombëtare kanë thënë se kanë siguruar 15 kuti nga shtëpia e Trumpit, disa prej të cilave kanë pasur dokumente të klasifikuara.
Sipas ligjit, presidentët amerikanë duhet të transferojnë të gjitha dokumentet e tyre, përfshirë emailat, në Arkivat Shtetërore. Mirëpo disa zyrtarë besojnë se ish-presidenti Trump ka asgjësuar shumë dokumente. Arkivat kanë thënë se disa dokumente janë kthyer në gjendje jo të mirë dhe është dashur të ngjiten me njëra-tjetrën. Trump, atë kohë, ka hedhur poshtë raportimet për diçka të tillë.
Një këshilltar i lartë i Trumpit ka thënë për rrjetin CBS, se agjentët federalë kanë kërkuar dokumente presidenciale në Mar-a-Lago. Për një kërkim të tillë agjentët duke të kenë vendim të gjyqtarit.
Një zyrtar ka thënë se Shtëpia e Bardhë nuk ka qenë e informuar për kërkime të tilla nga FBI-ja. Shtëpia e Bardhë ka thënë se është duke kufizuar komunikimet me zyrtarë të lartë të departamenteve të drejtësisë për të shmangur atë që mund të konsiderohet presion politik.
Presidenti amerikan, Joe Biden ishte zotuar përgjatë fushatës presidenciale se do të qëndronte larg çështjeve të drejtësisë.
Përveç çështjes me Arkivat Shtetërore, Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA, është duke hetuar veprimet e Trumpit lidhur me trazirat e 6 janarit të vitit 2021, kur një mori e mbështetësve të tij kanë hyrë në ndërtesën e Kongresit, teksa ligjvënësit ishin përgatitur për të certifikuar fitoren e Bidenit në zgjedhje. Një prokuror në qarkun Fulton në Xhorxhia, është duke hetuar po ashtu nëse Trump dhe mbështetësit e tij, kanë tentuar të ndërhyjnë në rezultatet zgjedhore të vitit 2020.