Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur në tryezën për të kujtuar Havzi Nelën dhe të përndjekurit e diktaturës është shprehur se, liderët e Europës e kanë cilësuar Enver Hoxhën si Hitlerin shqiptar.
Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:
Ju falënderoj për praninë tuaj në këtë takim, kushtuar njërit prej figurave më të ndritura të letërsisë së vërtetë shqiptare, i cili ra për tu bërë i pavdekshëm, për të vërtetën që ai besonte, për lirinë, fjalën e liri, dinjitetin njerëzor.
Havzi Nela është dëshmi e fundit mbasi ai u var si sot 34 vite më parë në sheshin qendror të qytetit të Kukësit, dëshmi kryesore se Enver Hoxha ishte një Hitler i vërtetë të pasluftës së dytë botërore. Kam qenë në hapat e mi të parë në politikë kur i ftuar mirrja pjesë në një kongres të Partive Demokratike të Europës, gjithsej 4 muaj pas themelimit të opozitës këtu.
Në atë kongres më dhanë fjalën dhe mbajtja një fjalë. Në deklaratën e atij kongresi ku ishte Theçeri, Zhak Shirak dhe personalitet më të spikatura të kohës, e cilësojnë Enver Hoxhën si hitlerin shqiptar të pas Luftës së Dytë Botërore.
Europa gjatë 50 viteve komunizëm kishte njohur diktator nga më të egrit, i tillë ishte Brezhnjevi, kishte dhe të tjerë, por i vetmi që u krahasua me Hitlerin, ishte Enver Hoxha.
Jam përpjekur të kuptoj thellë shkaqet që i shtynë dhe gjykoj se dy kanë qenë shkaqet kryesore se pse Enver Hoxha ngjet me Adolf Hitlerin. Njëra prej këtyre ishte qëndrimi ndaj fjalës së lirë dhe opozitës. Një filozof i madh dhe një nga njerëzit më të zgjuar të tokës gjermane, Karl Jasper e studioi shumë nazizmin dhe e ndihmoi shumë kombin e tij që të ndërgjegjësot për përgjegjësinë që pati në një farë menyrë dhe mbështetjen e regjimit.
Jasper shkruan në librin e tij ‘Faji gjerman’ se në kohë lufte të bëje opozitë do të thotë të hapje varrin me duart e tua.
Kjo për Enver Hoxhën ishte e vërtetë jo vetëm për të gjallët e tij, por ngeli e vërtetë edhe pas vdekjes së tij dhe shembulli më dramatik i kësaj të vërtete është Havzi Nela, i cili u var jo në kohë lufte. Pas frymës së Helsinkit që Nela do ti kushtonte një nga poezitë më të bukura, do të varej, kur disa muaj më vonë diktaturat do të binin njëra pas tjetrës.
Enver Hoxha në këtë raport ishte një Hitler i vërtetë sepse si asnjë tjetër tregoi zero tolerancë ndaj mendimit dhe fjalës ndryshe. Sot shumë prej jush që i përkisni familjeve të nderuara e dini se dekapitimi i elitës kombëtare ishte akti i parë anti shqiptar.