Zëdhënësi i Bashkimi Evropian, Peter Stano, ka thënë se blloku evropian nuk u imponon zgjidhje partnerëve, teksa ka folur për rolin e BE-së në zgjidhjen e mospajtimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
I pyetur për tensionet e fundit në mes të dyja vendeve, për shkak të çështjes së targave dhe dokumenteve serbe, Stano ka thënë se BE-ja ndihmon palët vetëm në gjetjen e një kompromisi.
“Shumë çështje që po shkaktojnë irritim në marrëdhëniet në mes të Beogradit dhe Prishtinës trajtohen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Për këtë quhet dialog i ndërmjetësuar, jo i detyrueshëm. Ne mund të ndërmjetësojnë për aq sa ekziston gatishmëria nga të dyja palët për të gjetur zgjidhje kompromisi”.
Sipas tij, përparimi i Kosovës dhe Serbisë në rrugën drejt BE-së varet nga hapat që bëjnë në dialog.
“Ne u ndihmojnë për kompromis, por u takon atyre që të jenë të gatshëm për të bërë kompromiset e nevojshme. Këtë gjë do ta bëjmë në takimet e radhës, përfshirë atë të nivelit të lartë mes presidentit (serb, Aleksandar) Vuçiq dhe kryeministrit (të Kosovës, Albin) Kurti, që të çojnë përpara të gjitha çështjet në kuadër të dialogut, sepse pa përparim në dialog, nuk do të ketë përparim në rrugën evropiane”.
Serbia ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në BE në vitin 2009. Në mars të vitit 2012, Serbisë i është dhënë statusi i kandidatit.
Kosova ka të nënshkruar vetëm Marrëveshje Stabilizim-Asociimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok.
Kurti dhe Vuçiq do të takohen më 18 gusht në Bruksel me kryediplomatin e BE-së, Josep Borrell dhe të dërguarin e BE-së për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më 11 gusht se është skeptik sa i përket arritjes së ndonjë rezultati në rundin e ri të dialogut.
“Po shkoj në Bruksel për të biseduar, nuk shpresoj për ndonjë rezultat, por po shkoj për bisedime”, ka thënë ai për mediat në Beograd.
Palët janë ftuar në dialog pas tensioneve në veri të Kosovës, ditë më parë.
Qeveria e Kosovës pati marrë vendim për zbatim të vendimit për targat dhe dokumentet serbe nga 1 gushti.
Sipas vendimit të Qeverisë, pronarët e makinave me targa të qyteteve të Kosovës – që lëshohen nga autoritetet serbe – duhet t’i riregjistrojnë ato në RKS.
Po ashtu, të gjithë shtetasit serbë, do të duhet të pajisjen me një dokument për hyrje/dalje në pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për lëvizje të lirë prej vitit 2011.
Kosova e ka zbatuar për pak orë më 1 gusht, pasi e ka shtyrë zbatimin e vendimit për 1 shtator, me qëllim të uljes së tensioneve në veri.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar po ashtu një shtyrje të tillë, ndonëse kanë thënë se Kosova ka të drejtë të zbatojë këto vendime./REL