Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha gjatë takimit me intelektuale të arsimit para universitar, ku në fokus ishte arsimi tha se ka pasur raste kur mësuesit janë hequr nga puna vetëm për një status në Facebook.
Berisha tha se mësuesit janë zëvendësuar me “militantë” të partisë në pushtet.
“Nga viti 2013 deri sot, ne numërojmë 208 mijë fëmijë, nxënës, studentë më pak në shkollat tona. Kemi një rrokullisje dhe jemi dëshmitar të gjendjes reale të nxënësve tanë, gjendjes ekonomike, familjare të tyre dhe ka një thellim të tmerrshëm midis fshatit dhe qytetit. Kemi një zhvlerësim, një mospërfillje ndaj figurës së misionarit të këtij procesi, që është mësuesi. Kemi një ndryshim thelbësor në filozofinë e edukimit. Gradualisht është spostuar edukimi i bazuar në vlera, në liri, në dinjitet, atdhetari me edukimin e nënshtrimit të bazuar në rregullat, në nënshtrimin. Është vendosur një kontroll i turpshëm mbi mësuesit. Qëndrimet e tyre në mediat sociale, janë jo të pakta rastet kur ata janë pushuar apo transferuar për statuset në Facebook-un e tyre. Trajtimi i tyre material është i papranueshëm. Është i papranueshëm zëvendësimi i mësuesve të vërtetë me militantë partiakë që nuk përcjellin edukim por militantizëm të një partie që siç e shihni, publikisht dhe haptas është larguar nga rregullat e lirisë”, tha Berisha.