Çmimet globale të naftës kanë pësuar rënie shumë të madhe, duke arritur nivelet që kanë pasur para luftës në Ukrainë. Kjo sipas analistëve ka ndodhur edhe për shkak të shqetësimeve për rritjen e dobët të ekonomisë së Kinës, që ka ardhur si rrjedhojë e izolimeve të vazhdueshme nga përhapja e COVID dhe rënies së aktivitetit ekonomik në sektorin e pasurive të paluajtshme. Ҫmimi i një fuçie me naftë të papërpunuar Brent ka rënë sot në më poshtë se 92 dollarë.
Prodhimi i fabrikave në sektorin industrial të këtij vendi u rrit me 3.8% në muajin korrik krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, një rritje kjo që ishte nën parashikimet e analistëve prej 4.6%, sipas një sondazhi të Reuters. Shitjet me pakicë u rritën me 2.7% krahasuar me një vit më parë, një tjetër shifër që ishte dukshëm nën pritshmëritë e analistëve, ndërkohë që rimëkëmbja ekonomike e Kinës pas izolimeve të pandemisë në fillim të këtij viti shfaqi shenjat e para të zbehjes.
Ekonomia e Kinës pati pothuajse një rënie në tremujorin e dytë, kryesisht për shkak të izolimit të qendrës tregtare të Shangait dhe rënies së ndjeshme në aktivitetin e tregut të pasurive të paluajtshme, si dhe të niveleve vazhdimisht në rënie të shpenzimeve të konsumatorëve.
Çmimi global i naftës ka pësuar rënie të ndjeshme nga niveli rekord prej 140 dollarë që arriti në muajin mars, kur shqetësimet për furnizimet nga Rusia ishin në kulmin e tyre. Megjithatë, çmimet vazhdojnë të mbeten në nivele historikisht të larta, ndërkohë që lufta në Ukrainë vazhdon, pasi ato janë pothuajse 50% më shumë sesa nivelet ku ndodheshin në fund të vitit 2019.
Kjo rritje e madhe e çmimit të naftës ka nxitur një rritje rekord inflacioni dhe rritje të ccmimeve në të gjithë Evropën por edhe në vendet e tjera të zhvilluara.