Kosova po përballet me krizë të energjisë elektrike. Pas paralajmërimit se do të ketë kufizime të energjisë elektrike, Ministria e Ekonomisë Artane Rizvanolli, ka dalë me një deklaratë.
Sipas ministres, askush, e aq më pak qytetarët dhe buxheti i vendit, nuk duhet të paguajnë çmimin e lartë të importit për ata që tolerohen të vjedhin energji.
“Askush, e aq më pak qytetarët dhe buxheti i vendit, nuk duhet të paguajnë çmimin e lartë të importit për ata që tolerohen të vjedhin energji. Prandaj, në këto kushte Qeveria, me mjetet dhe kompetencat e saj, do të ndërhyjë për ta minimizuar deri në ndalje të plotë këtë dukuri, pa asnjë kompromis”, ka deklaruar ministrja.
Rizanolli, tha se vjedhjet e energjisë elektrike gjatë vitit 2021 kanë qenë deri në 110 milionë euro.
“Ndërsa për vitin 2022 vjedhjet parashikohen të arrijnë deri në 99 milionë euro, nëse çmimi i energjisë nuk rritet më tej në bursat ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën për media nga Ministria e Ekonomisë.
Ajo theksoi se më tej se është duke marrë masat e duhura në ndërprerjen e përdorimit të paautorizuar të energjisë elektrike së bashku me organet ligjzbatuese dhe kompaninë e distribuimit të energjisë elektrike, KEDS, e cila e ka për detyrë sipas kontratës së privatizimit që t’i ndalë ato.
“Këto vjedhje të energjisë elektrike, jo vetëm që janë vepra penale sipas Kodit Penal, por tashmë janë një kosto e papërballueshme që duhet të paguhen nga paratë e të gjithëve nëse nuk ndalen. Kryerësit e këtyre veprave, energjinë e vjedhur e shfrytëzojnë në mënyrë jo racionale, jo për nevojat bazike. Kyçjet e paautorizuara në rrjetin e energjisë elektrike përbëjnë rrezik edhe të jetës dhe rrezik në stabilitetin e rrjetit të distribuimit”, thuhet më tej në komunikatën për media.