Si rrallë herë në muajt e verës politika ka “zier” pavarësisht pushimeve. Sali Berisha dhe Ilir Meta thuajse cdo ditë kanë denoncuar në media skandalet e qeverisë dhe njëkohësisht kanë shpalosur platforma duke u paraqitur shqiptarëve alternativa.
Por, Sali Berisha dhe Ilir Meta rrallë herë kanë bërë edhe “xing” duke u përplasur me oraret. Pasditen e sotme zyra e shtypit të PD-së njoftoi se në orën 19:00 Sali Berisha do të zhvillojë një tryezë për arsimin.
“Ju ftoj të më ndiqni sot në orën 19.00 teksa bisedoj me mësues e ekspertë të arsimit parauniversitar mbi sfidat dhe problematikat e shkollave dhe stafeve pedagogjike shqiptare, politizimin e arsimit dhe rrezikun që droga paraqet për fëmijët në shkolla” shkruan Berisha.
Por pak minuta më pas, në të njëjtën orë, Ilir Meta njoftoi se do të jetë në Vlorë ku do të zhvillojë takime me përfaqësues të partisë së tij. “Të dashur miq! I lumtur të rikthehem sot në Vlorën e Lirisë dhe Flamurit Kombëtar!
Në ora 19:00 do të kem kënaqësinë të takoj përfaqësues të Partisë së Lirisë dhe të japim mesazhe për të gjithë vlonjatët e ndershëm, patriotë dhe liridashës” njofton Meta.