Një vrasje me armë zjarri tronditi mbrëmjen e djeshme Elbasanin. 25-vjeçari Madrit Ulqinaku u qëllua për vdekje pranë stadiumit të qytetit pas një konflikti.
Policia thotë se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive banale duke mos dhënë më shumë detaje, por dyshohet që sherri të ketë nisur fillimisht në rrjetet sociale.
Më pas palët janë takuar pranë vendit ku ndodhi krimi. Paraprakisht mësohet se kanë qenë 4 persona në këtë takim, viktima, autori i dyshuar dhe 2 miq të autorit.
Pas debatit palët janë larguar, por autori ka shkuar ka marrë armën dhe është kthyer duke e qëlluar për vdekje Ulqinakun. Autori i krimit është ende në kërkim.