Shtatori pritet që të nisë furishëm në politikën shqiptare. Sesioni i ri parlamentar do të nisë me socialistët në veprim për të ndryshuar ligjin e dekriminalizimit me qëllim përjashtim e Sali Berishës dhe Ilir Metës nga politika. “5pytejet.al” ka siguruar draftin e hartuar nga socialistët për ndryshimin që propozojnë në ligjin e dekriminalizimit. Konkretisht në draftin e socialistëve kërkohet që personat e shpallur non grata nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar apo vende të tjera perëndimore, si dhe ata që rezultojnë në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit të mos lejohen që të kandidojnë në zgjedhje.
“Qëllimi i këtij ligji është të garantojë besimin e publikut në funksionimin e organeve të zgjedhura shtetërore, institucioneve të pavarura dhe atyre të krijuara me ligj, të administratës publike, nëpërmjet pengimit të zgjedhjes ose emërimit në to, apo largimit nga funksioni publik të personave, të cilët janë dënuar apo ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie ose janë dënuar me vendim jopërfundimtar për kryerjen të krimeve, sipas këtij ligji, si dhe të personave që rezultojnë se kanë qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të ligjit nr.45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët provohen nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, se kanë qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të ligjit nr.45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” thuhet në draft.
Pjesë nga drafti i PS-së
Ndalimi për kandidim dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publikë
- Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
- Ndalimi i parashikuar nga pika 1, e këtij neni, zbatohet edhe ndaj personave:
- a) që janë dënuar me një vendim jopërfundimtar nga një autoritet gjyqësor i një shteti anëtar të BE-së, SHBA-së, Kanadasë, Australisë, apo për të cilët është vendosur masë sigurimi personal dhe/ose është lëshuar një urdhër kërkimi ndërkombëtar nga autoritetet e një prej këtyre shteteve, për kryerjen apo tentativën e kryerjes së një prej veprave penale, të parashikuara në pikën 1, shkronja “a”, të këtij neni. Për personat që plotësojnë kushtet e këtij paragrafi, ndalimet zbatohen në përputhje me pikën 5, të nenit 10, dhe pikën 1, të nenit 16, të këtij ligji;
- b) që janë dëbuar nga territori i një shteti anëtar të BE-së, SHBA-së, Kanadasë, Australisë, në lidhje me një prej rasteve të parashikuara në pikën 1, shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të këtij neni, apo janë dëbuar për cenim shumë të rëndë dhe serioz të sigurisë publike të shtetit përkatës.
- Kuvendi, me vendim, përcakton brenda afatit të parashikuar nga ky ligj listën e shteteve të tjera, vendimet e dënimit jopërfundimtare, masat e sigurisë dhe/ose urdhrat e kërkimit ndër-kombëtar apo masat e dëbimit të të cilave, sipas këtij neni passjellin zbatimin e ndalimeve të këtij ligji.
Neni 3
Ndalimi për t’u emëruar në një funksion publikë
- Për veprat penale të parashikuara në pikën 1, të nenit 2, të këtij ligji, personi nuk mund të emërohet apo zgjidhet në funksionet publike si më poshtë:
- a) në organe kushtetuese apo të krijuara me ligj;
- b) gjyqtarë ose prokurorë
- c) në postin e zëvendësministrit apo të njëvlershëm me të;
ç) në postin e prefektit;
- d) funksionarë politikë në kabinetet e drejtuesve të çdo institucioni kushtetues apo të krijuar me ligj:
- dh) në Shërbimin Informativ Shtetëror dhe shërbime të tjera informative;
- e) në shërbimin civil dhe shërbimin diplo-matik si dhe drejtues të çdo niveli ne adminis- tratën publike të nivelit qendror dhe vendor që nuk përfshihet në shërbimin civil; ë) në Policinë e Shtetit;
- f) ushtarakë të forcave të armatosura, si dhe
- g) në çdo post drejtues të kompanive që zotërohen plotësisht apo në maxhorancë ose administrohen nga shteti.
Qëllimi është i qartë; nxjerrja me ligj nga politika e Sali Berishës dhe Ilir Metës, i cili sipas Autoritetit të Dosjeve ka rezultuar bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit. Por për këtë nismë kërkohen ndryshime kushtetuese, pra 84 vota që PS mund ti bëjë vetëm me votat e grupit të Enkelejd Alibeajt.